Me 26 zyrtarë policorë të arrestuar ka përfunduar aksioni “Pika 2”, i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Prokurorisë Speciale në pikë kalimin në Vermicë, ku dy prej të arrestuarve janë rreshterë të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Zeka, ka folur në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova për më shumë detaje lidhur me këtë operacion.
“Operacioni Pika 2 është vazhdimësi e planit operativ që është realizuar javë më herët nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës. Si rezultat i informacioneve dhe hetimit gjatë këtij operacioni, hetuesit e IPK-së kanë marrë informacione se edhe zyrtarë të tjerë nga pikëkalimi kufitar në Vërmicë, mund të jenë të përfshirë në aktivitetet të kundërligjshme. Si rezultat i këtyre informacioneve ka filluar një procedurë hetimore”, tha ai.
“Aktivitete të kundërligjshme, nënkupton kur zyrtarët policorë dyshohen se janë të përfshirë në vepra penale – që nënkupton aktivitete që bien ndesh me Kodin Penal të Kosovës”.
Zeka tutje ka treguar se sa janë provat të fuqishme për t’i mbështetur këto arrestime.
“Hetuesit e IKP-së kanë dyshim të bazuar se zyrtarët policorë janë të përshirë në këto aktivitete. E them këtë bazuar edhe në autorizimet që i kemi pranuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës që kanë përfshirë edhe masat e fshehta dhe teknike të hetimeve që janë realizuar nga hetuesit e IKPK-së”.
“Rreth një vit ka zgjatur procedura hetimore në operacionin Pika 1 po ashtu edhe në Pika 2. Nuk mund të shpalosim detaje të praktikave hetimore që kanë aplikuar, ata por me rëndësi për ne është që dyshimi të jetë i bazuar”.