President i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar anëtarësim të shpejtë në NATO, pasi homologu i tij rus, Vladimir Putin, u përpoq të aneksonte katër rajone të Ukrainës.
Zelensky në një postim në Telegram tha se Ukraina po e bën një hap vendimtar duke nënshkruar kërkesën për anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
“Ne kemi vërtetuar tashmë përputhshmërinë tonë me standardet e Aleancës. Ne po bëjmë një hap vendimtar duke nënshkruar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO”, është shprehur Zelensky, shkruan BBGC.
Përpara se Rusia të dërgonte forcat e saj të armatosura në Ukrainë në shkurt, Moska po kërkonte garanci ligjërisht të detyrueshme që Ukraina nuk do të pranohej kurrë në NATO, në aleancën ushtarake e udhëhequr nga SHBA.
Rusia e përdori këtë si pretekst, ndër të tjera, për të nisur të ashtuquajturin operacionin e saj special ushtarak.
Kujtojmë se gjatë fjalimit të sotëm, Putin e ftoi Ukrainën që të kthehet në negociata, teksa ka shtuar se qytetarët e Luhanskut, Donteskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe se aneksimi i këtyre territoreve është i panegociueshëm.