Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të martën se vendi i tij është duke e pritur reagimin e Shteteve të Bashkuara për sulmet ruse të natës së kaluar ndaj qyteteve ukrainase, kur u shkaktuan dëme të reja ndaj infrastrukturës së energjisë.
“Ne presim një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara ndaj sulmeve ruse. Ishte propozim i Amerikës që të ndaleshin sulmet ndaj infrastrukturës energjetike gjatë përpjekjeve diplomatike dhe periudhës së ftohtë të dimrit” – tha Zelensky në video-adresimin tradicional të mbrëmjes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zelensky tha se është pritur nga Ukraina që të bëjë koncesione, por i përket gjithashtu edhe Rusisë që të bëjë lëshime, kryesisht “që ta ndalë agresionin”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se presidenti Donald Trump nuk është i befasuar nga sulmi më i ri i Rusisë ndaj Ukrainës.
Këtë javë pritet të rinisin bisedimet mes Rusisë e Ukrainës në Emiratetet e Bashkuara, me ndërmjetësimin e Uashingtonit. Ato fillimisht ishin planifikuar të mbaheshin në fundjavën që shkoi, por ishin shtyrë.
