Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, para deputetëve në Kuvend, ua ka uruar 7 Marsin të gjithë mësuesve, teksa ka kërkuar përmirësimin e kushteve për ta, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai tha se ata meritojnë përuljen tonë të përhershme, ndaj kontributit të tyre.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës të shpreh urimet më të përzemërta për këtë ditë të shënuar e të veçantë, për ata që japin dije. Për mësuesi. Çdo mësues në mbarë botën meriton respekt, por në vendin tonë, respekti për mësuesit e mësueset i kalon përmasat e këtij respekti, ngase e meritojnë përuljen tonë të përhershme, ndaj kontributit të tyre, që gjithmonë mbetët i shenjtë”, tha Zemaj.
Tutje, ai tha se institucionet duhet të krijojnë kushte të mira dhe të dinjitetshme për mësuesit.
“Insititucionet duhet të krijojnë kushte të mira, e të dinjitetshme për ata që shpërndajnë dije, pra për mësuesit. Mësues e mësuese, faleminderit për gjithçka që keni bërë e bëni. Zoti iu bekoftë juve dhe punën tuaj të shenjtë”, u shpreh tutje Zemaj. / Gazeta Enigma.