Zemaj: Vitia ka larguar nga strategjia Ligjin për Shëndetësi dhe atë të Sigurimeve Shëndetësore

Zemaj: Vitia ka larguar nga strategjia Ligjin për Shëndetësi dhe atë të Sigurimeve Shëndetësore

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në një konferencë për media ka folur rreth gjendjes së shëndetësisë nën udhëheqjen e qeverisë së tanishme.



“Kjo qeveri nëse shumë pak ka punuar në fusha të tjera, në shëndetësi nuk po ka punuar fare. Ja faktet të cilat tregojnë që nuk ka punuar fare, për tri vite janë ndërruar tre ministra, nuk ka as një strategji në shëndet, më shumë se 200 mjekë po na ikin çdo vit, e për ikjen e tyre nuk ka asnjë reagim nga qeveria, nuk kemi asnjë investim kaptial, kemi ankesa të njëjta nga të gjitha odat profesionistëve shëndetësor”, ishin ndër të tjera se çfarë i listoi Zemaj si fakte që qeveria Kurti në shëndetësi nuk po kryen punë.

Më tutje ai tha se Ligjin për Shëndetësi dhe për sigurimet shëndetësore, është vetë ministri Vitia i ka larguar nga strategjia, njofton KlanKosova.tv.

“Fondi shëndetësor të cilin e ka premtuar ministri Vitia që tri vjet nuk e kemi askund, e madje lajmi kryesor i ditës, që po e them për herë të parë në këtë konferencë është se pikërisht ky ministër e ka larguar nga strategjia ligjin për shëndetësi dhe ligjin për sigurimet shëndetësore. Kam informacione të sakta të konfirmuara që ky ligj është bartur për vitin e ardhshëm ashtu siç është bartur që tri vite me radhë. Domethënë prioritetet dhe premtimet që erdhën qeveria në pushtet tani po kalojnë në bartje në vitet e ardhshme”, deklaroi Zemaj.

Më tutje Zemaj tha se Ninistria e Shëndetësisë as shpenzimet e buxhetit të saj nuk i ka shfrytëzuar gjë që tregon papunën e tyre.

Sipas Zemaj, dështimi i kësaj ministrie nuk mbaron sepse nuk mbarojnë interesat e tyre.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërtetuar se ka 36 raste në parregullësi në menaxhimin e kontratave të punës, parregullsi në procedurën e pagesave dhe shumë raste të tjera. Këtë e sqaron më së miri raporti i shpenzimeve kapitale për periudhën janar-shtator, ku ministria e shëndetësisë ka shpenzuar vetëm tetë për qind të buxhetit nga investimet kapitale, zero për qind në pothuajse projektet e premtuara, zero për qind në shpenzime për autoambulanca, zero për qind shpenzime në pajisje të nevojshme shëndetësore”, tha Zemaj.

Related Articles