Njerëzit në vendet e Ballkanit Perëndimor po përjetojnë ndjenjë zhgënjimit të thellë lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së

Njerëzit në vendet e Ballkanit Perëndimor po përjetojnë ndjenjë zhgënjimit të thellë lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së

Në një dokument të brendshëm të Bashkimit Evropian të parë nga Zëri i Amerikës, thuhet se njerëzit në vendet e Ballkanit Perëndimor po përjetojnë një ndjenjë zhgënjimi të thellë lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së.

Raporti identifikon si faktorë kryesorë për këtë zhgënjim mungesën e hapave vendimtare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas vendimit të Këshillit Evropian të marsit 2020 për të hapur negociatat e pranimit; ritmin e ngadaltë në Serbi dhe Mal të Zi për të ecur në rrugën e BE-së, pasigurinë në lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë e të tjera.Zhgënjimin e ka ushqyer më tej perceptimi se BE-ja i shpërndau me vonesë vaksinat për COVID-19, sipas raportit, i cili është një letër e datës 5 maj që zyrtarët e BE-së u kanë dërguar 27 ministrive të jashtme të vendeve anëtare.

Në raport thuhet se në Ballkanin Perëndimor ekziston perceptimi i përhapur se perspektivat e anëtarësimit po errësohen dhe aspiratat evropiane po humbasin në labirintin e ndërlikuar të kushteve dhe procedurave, që e mbajnë Ballkanin Perëndimor të kyçur në fatin e tij prej Sizifi.

Pavarësisht nga perceptimi negativ mbizotërues, opinioni publik në të gjithë rajonin, është ende kryesisht në favor të anëtarësimit edhe pse në shkallë të ndryshme, thuhet në raport.

Në mungesë të një procesi të perceptuar të integrimit në BE, i cili do të siguronte hapësirë më të gjerë për bashkëjetesën e një shumice identitetesh kombëtare, thuhet në raport, retorikat dhe politikat përjashtuese nacionaliste po rifitojnë terren.

Sfida kryesore, thotë raporti, qëndron në aftësinë e Ballkanit Perëndimor për të përmbushur standardet dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi, dhe në efektivitetin dhe vendosmërinë e BE-së për të mbështetur reformat e nevojshme.

Related Articles