Zgjedhjet lokale 2025: Profilet e kandidatëve në garën për Pejën

Zgjedhjet lokale 2025: Profilet e kandidatëve në garën për Pejën

Në vjeshtë, qytetarët e Pejës do të dalin në kutitë e votimit për të zgjedhur udhëheqësin e tyre të ardhshëm.

Taulant Kelmendi nga LVV, Arta Nallbani e PDK-së , Gazmend Muhaxheri nga LDK, dhe Ali Berisha i AAK garojnë për këtë qytet, shkruan Gazeta “Enigma”.

Gazmend Muhaxheri ka kaluar nëpër disa faza të rëndësishme në karrierën e tij politike. Në tri mandate si udhëheqës i Pejës nga radhët e LDK-së, Muhaxheri shihet si favorit për këtë komunë, ku e kërkon edhe të katërtin. Fillimisht, ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës në vitin 2004, si pjesë e partisë Reformist Party ORA, ku shërbeu deri në 2007 dhe ishte pjesë e presidencës së kuvendit. Në vitin 2010, partia ORA u bashkua me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), dhe Muhaxheri u bë pjesë e presidencës së kësaj partie. Tre vitet më vonë, ai fitoi zgjedhjet lokale dhe u zgjodh kryetar i komunës së Pejës në mandatin e tij të parë në 2013 — një pozicion që e ka ruajtur edhe për mandatin e dytë (2017) dhe të tretë (2021). Muhaxheri është inxhinier ndërtimi, i diplomuar në Universitetin e Prishtinës.

Taulant Kelmendi vjen si një figurë e njohur në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Në vitin 2022, ai u zgjodh kryetar i degës së LVV-së në Pejë, pas një procesi të brendshëm zgjedhor. Po ashtu, ai ka shërbyer si koordinator i Qendrës së LVV-së në këtë komunë. Në maj të vitit 2023, Kryeministri Albin Kurti e emëroi Kelmendin zëvendësministër të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, duke e njohur për angazhimin e tij në fushat e arsimit dhe inovacionit. Ai ka përfunduar studimet bachelor dhe master në Shkencat Kompjuterike. Kelmendi është një inxhinier i diplomuar nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë. Ai ka një angazhim të theksuar në fushën e arsimit dhe teknologjisë, duke shërbyer si profesor asistent në Kolegjin AAB dhe si inxhinier vëzhgimi në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës.

Kandidatja e PDK-së, Arta Vokshi‑Nallbani shërben si Drejtoreshë për Urbanizim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Pejës, pozicion për të cilin është vlerësuar për kontributin e saj në zhvillimin urban lokal. Gjatë udhëheqjes së saj, Vokshi Nallbani ka arritur disa rezultate të rëndësishme: Digjitalizimi i procesit të legalizimit: Ka implementuar një sistem të ri për legalizimin e objekteve pa leje, duke e bërë këtë proces më efikas dhe transparent. Hartimi i Hartës Zonale Komunale (HZK) 2023–2031: Ka udhëhequr krijimin e kësaj harte, e cila është një dokument kyç për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të territorit të Pejës. Rritja e të hyrave vetanake: Nën drejtimin e saj, Drejtoria për Urbanizëm ka tejkaluar buxhetin e planifikuar për vitin 2023, duke inkasuar mbi 1 milion euro të hyrave, një rekord në historinë e kësaj drejtorie. Implementimi i projekteve mjedisore: Ka mbikëqyrur realizimin e projekteve të mjedisit sipas planit dinamik, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetesës për qytetarët.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka nominuar Ali Berishën si kandidat për kryetar të Komunës së Pejës, duke synuar rikthimin e kësaj komune nën udhëheqjen e AAK-së. Ai është mjek i brendshëm dhe ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Gjatë Luftës së Kosovës (1998–1999), ai ka shërbyer si shef i shërbimeve mjekësore në rajonin e Dukagjinit, duke kontribuar në ndihmën e ushtarëve dhe civilëve të plagosur. Pas luftës, ai ka drejtuar Spitalin e Pejës nga viti 2001 deri në vitin 2007. Ai ka shërbyer si kryetar i Komunës së Pejës nga viti 2007 deri në vitin 2013, periudhë gjatë së cilës ka implementuar projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe ka kontribuar në zhvillimin e qytetit. Pas mandatit si kryetar, ai ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës nga viti 2016 deri në vitin 2021. Në vitin 2017, ai është emëruar zëvendësministër i Shëndetësisë në qeverinë e Ramush Haradinajt

Related Articles