Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka akuzuar ndërkombëtarët për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.
“Kujtoni këtë ditë. Kjo është dita kur geto e fundit evropiane legalizohet dhe legjitimohet. Këto janë imazhet që me të vërtetë përshkruajnë “sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të “zgjedhjeve demokratike” në Kosovë të mbështetura nga BE-ja dhe QUINT”, ka shkruar Bërnabiq në Twitter.
Ajo madje ironizoi me OSBE-në duke i kërkuar asaj që shembull të tillë të japë edhe te të tjerët.
“Kushtojini vëmendje OSBE dhe sigurohuni që t’ua rekomandoni këtë të tjerëve si shembullin më të mirë: Mbajtjen e zgjedhjeve në kontejnerë të përkohshëm nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të forcave të armatosura. Zgjedhjet – të lira dhe të ndershme, me forca të armatosura dhe mjete të blinduara! Kjo është Evropa, në shekullin e 21-të”, ka shtuar ajo.
Bërnabiq tha se BE-ja e ShBA-ja nuk kanë planifikuar kurrë ta zbatonin Marrëveshjen e Brukselit.
“Të njëjtët që ndërmjetësuan dhe garantuan, 10 vjet më parë, Marrëveshjen e Brukselit, të cilën nuk kishin planifikuar kurrë ta zbatonin, ndjehuni krenarë! Festoni sot arritjet tuaja. Largohuni në lavdinë e asaj që keni krijuar! BE, ShBA e OSBE”, ka përfunduar ajo.