Një mijë litra naftë janë zhdukur nga kalldaja e ngrohjes në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Brekoc të Gjakovës.
Me 27 tetor rezervuari ishte plotë me naftë, por pesë ditë më vonë ai ishte tërësisht i zbrazur.
Kjo u provua në momentin kur punëtorët teknik deshën ta ndezin kalldenë e ngrohjes në Brekoc të Gjakovës.
Nënshkrimin për pranimin e kësaj sasie nafte e kishte bërë specialist por thotë se këtë e kishte bërë derisa ishte duke kontrolluar një pacientë.
“Me datën 27 ka ardhur nafta. Me ata që e sollën naftën kanë qenë edhe dy punëtorë teknik. Unë ua kam dhënë çelësat, ndërkohë kam pasur një pacient. Në momentin kur kam përfundu punën me pacientin kam dalë por ata kishin përfundua punë. Shërbimi teknik kanë nënshkruar për pranimin e naftës, nënshkrova edhe unë pasi edhe ata janë përgjegjës dhe e njohin punën”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Musa Halilaj.
Pasi rasti ishte paraqitur në polici, prokuroria e Gjakovës ka filluar hetimet.
“Fillimisht është iniciuar rasti për veprën penale vjedhje. Hetuesit e njësisë rajonale në Gjakovë në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke i marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen sa më të shpejtë të këtij rasti”.
Në raportin e policisë thuhet se qasje në rezervuarin e naftës kishin gjashtë persona.