Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, njoftoi opinionin publik se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, që ndodheshin në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Sipas Haxhiut, ajo është njoftuar mbrëmë dhe më pas ka njoftuar kryeprokurorin e shtetit dhe ushtruesin e detyrës së Policisë së Kosovës.
Ndërkohë, para pak minutash ka arritur Policia e Kosovës në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale e Republikës Kosovë tregoi se ka filluar hetimet për zhdukjen e provave të ish-aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari.
Haxhiu ka deklaruar para gazetarëve se në laboratorin ku ruhen epruvetat kanë qasje vetëm tre persona, për të cilët tha se i di emrat.
Po ashtu, ajo theksoi se gjatë ditës pritet të ketë suspendime, bazuar në kërkesën e dërguar ndaj Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Ministrja e Drejtësisë ka shprehur dyshimet se kjo ka ndodhur për shkak të raporteve ndër-kolegiale, meqë gjendja në këtë institut është e rëndë.