Zyrtarë të Bashkimit Evropian nuk janë duke fshehur zhgënjimin për përpjekjet e dështuara për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, para përfundimit të presidencës portugeze të BE-së.
Portugalia përfundon kryesimin e saj në fund të muajt qershor dhe pas saj radhën e ka Sllovenia. Në takimin e fundit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së në Luksemburg, presidenca portugeze ka konstatuar se nuk ekziston konsensus i nevojshëm për të miratuar kornizat negociuese për këto dy shtete kandidate, si kusht për të hapur negociatat.
Bullgaria deri në fund nuk ka hequr dorë nga bllokada e një vendimi të tillë. Ana Paula Zakaria, Sekretare shtetërore për Çështjet Evropiane në Qeverinë e Portugalisë, ka thënë pas takimit në Luksemburg se “nuk ishte e mundur të miratohen kornizat negociuese” dhe ka deklaruar se shpreson që gjatë presidencës sllovene do të jetë e mundshme një gjë e tillë.
Pasi Bullgaria nuk ka hequr dorë nga bllokimi i vendimit për Maqedoninë e Veriut, disa shtete tjera anëtare të BE-së, kanë qenë kundër idesë që negociatat të nisin me Shqipërinë.