Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë po përballet me mungesë të stafit, sidomos në kohë kur vendi po përballet me pandeminë.
Vezir Berisha, zjarrfikës, thotë se për të është kënaqësi që ushtron këtë profesion dhe është në shërbim të qytetarëve. Berisha thotë gjithashtu se Dita Ndërkombëtarë e Zjarrfikësve i gjene ata me kushte jo të mira të punës dhe mungesë të stafit, ngase një pjesë e tyre tashmë janë pensionuar.
“Është vështirë, është shumë punë e rëndë do sakrificë e mund mirëpo me përkushtim e me vullnet, mirëpo problemet që kemi hasur, mungesa e stafit kemi shumë pak sidomos tash në kohë pandemie e kanë lëshuar punën e janë dalë në pension. Kjo na pengon shumë”, theksoi tutje ai.
Ai shprehet i zhgënjyer nga neglizhenca e vazhdueshme e institucioneve ndaj kësaj kategorie.
“Është kënaqësi me qenë zjarrfikës mirëpo neglizhenca e institucioneve që janë duke na bërë neve është shumë e vështirë, shumë e rëndë”, tha ai, raporton EO.
Ai thekson se nuk presin trajtim të veçantë as nga Qeveria e re, duke shtuar se të gjithë kanë dhënë shumë fjalë e kanë bë pak punë për realizimin e kërkesave të tyre.
“Unë punoj që 17 vite. Hapat e parë të Qeverisë janë shumë të dobët. Sikur çdo Qeveri tjetër veç fjalë e fjalë dhe punë asgjë”, përfundoi ai.
4 maji është ditë e shënuar e shërbimit të zjarrfikësve, ku shtetet organizojnë aktivitete të ndryshme solemne në shenjë të respektit për punën dhe sakrificat e tyre.