“Zoti i dënoftë se drejtësia po vonon” është mesazhi i familjarëve të të pagjeturve para obeliskut për të zhdukurit.
Drejtësi është kërkuar edhe për foshnjat të cilat u vranë e u masakruan në djep gjatë luftës në Kosovë.
Tetë persona të shoqatës “Zëri i Prindërve” vdiqën pa ditur asnjë informacion për fatin e më të dashurve të tyre.
Ata konsiderojnë është turp që ende në morgun e Prishtinës nuk janë të identifikuara afër 300 mbetje mortore dhe se ende nuk është miratuar Ligji për Personat e Zhdukur.
Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini theksoi se edhe gjatë këtij viti nuk ka arritur të zbardhet fati i personave të pagjetur, gjë që është premtuar vazhdimisht.
“Sfida numër një, nuk është zbardhur fati i personave të pagjetur ajo çfarë është premtuar. Krejt viti na ka mbetur duke vajtuar e duke kërkuar. Duke i dëgjuar plagët të cilat i kemi të pashërueshme. Por, na ka ndodhur edhe një gjë që e ka përfshirë gjithë Evropën, një sëmundje që na i ka marrë vetëm shoqatës ”Zëri i Prindërve” tetë persona. Ata shkuan pa ditur për më të afërmit e tij apo fëmijët e tij se ku ndodhën, asnjë shenjë nuk ka mund ta dijë ku është marrë prej forcave serbe apo kriminelëve serbë të cilët e kanë bërë krimin edhe në këto bebe që nuk e dimë ende ku janë”, u shpreh ai.
Ai ka paraqitur edhe pesë kërkesat e tij si baba i një të zhdukuri, duke bërë apel që bashkësia ndërkombëtare ta përkrahë Kosovën më shumë se Serbinë.
“Të fillohet dialogu mes grupeve punuese pa ndonjë pritje më tutje dhe të fillohet gjithqysh të bisedohet për personat e pagjetur. Të gërmohet te varrezat masive të cilat dihen brenda në Kosovë. Nuk mundemi më të presim si në Kizhevak, pesë vjet., Dren që 10 vjet. Duhet të ketë një plan-program dhe të kryhen këto varreza të ditura brenda në Kosovë. Të parashtrohet morgu i Republikës së Kosovës, është mëkat i madh të thuhet herë 350, herë 250 mbetje mortore. Duhet t’i parashtrojë Republika e Kosovës. Askush tjetër brenda. Në mënyrë të shpejtë të bihet Ligji për Personat e Zhdukur, është marre qe 5 vjet mos të bëhet një ligj”, ka thënë ai.
Ndërsa, Kryesuesi i Komisionit të Personave të Zhdukur, Andin Hoti tha se pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve nuk duhet të ketë asnjë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.
“Zoti i dënoftë përnime ata që na i kanë bërë tërë këto. Të njëjtën vuajtje që e keni ju e kemi edhe ne. Të njëjtën vuajtje që e kanë secili familjarë këtu e kanë edhe 1617 familjarë të tjerë dhe ende sot pas 22 viteve vuajtje, çështja e personave të zhdukur vazhdon të mbetet e politizuar dhe vazhdon të bëhet krim i dyfishtë dhe trefishtë duke mos treguar se ku janë nëse jo gjallë, eshtrat e tyre. Baca Bajram i pat disa kërkesa, të njëjtat i kemi edhe ne dhe pajtohem me ato kërkesa. Janë mbajtur dy takime gjatë këtij viti dhe janë të njëjtat kërkesat që i tha baca Bajram, që i kemi adresuar Bruksel. Ne e dimë që Serbinë nuk mundemi me shti me zor, shyqyr që e kemi larguar prej këtij vendi. Prandaj, ka qenë e vazhdueshme thirrja jonë e familjarëve që bashkësia ndërkombëtare jo vetëm të rrit presionin por edhe të kushtëzojë Serbinë”, ka thënë ai.
Edhe ai ka përmendur 300 mbetjet mortore që janë të paidentifikuara në morgun e Prishtinës. Sipas tij është turp për institucionet ndërkombëtare që nuk kanë arritur të bëjnë një gjë të tillë, por që shpreson që kjo çështje të përmbyllet në vitin e ardhshëm.
“Ligji për Personat e Zhdukur është në Ministri të Drejtësisë dhe më kanë premtuar që shumë shpejt do të kalojë. Në Ligjin për Personat e Zhdukur nuk plotësohen të gjitha kërkesat e familjarëve, plotësohet kërkesa e tyre për të ditur, plotësohet kërkesa e trajtimit më të mirë të familjarëve por nuk plotësohet kërkesa e familjarëve që është plotësisht e drejtë e pensioni. Është turp që është mohuar me ligj familjarëve të personave të zhdukur dhe jo vetëm e drejta e pensionit të moshës dhe janë obliguar të zgjedhin mes asaj dhe në mes të pensionit të moshës”, ka shtuar ai.
Sa i përket dialogut, ai theksoi se janë duke pritur që Serbia të reflektojë në raport me bisedimet me Kosovën dhe që Veljko Odalloviq të mos jetë kryetar i delegacionit të Serbisë.
“Me heq Odalloviqin prej kryetarit të delegacionit. Pse me heq? Sepse dyshohet që ka bërë krime në Kosovë, në Fushë Kosovë sepse ka qenë banor i Fushë-Kosovës. Ka bërë krime para luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1995. Natasha Kandiq ka qenë ajo që ka thënë në media që nuk është njeri adekuat për të qenë në këtë proces. Nuk e ka zbardhur fatin e personave të zhdukur, jemi 22 vjet dhe ende na mungojnë 1617. Kjo nuk do të thotë që ka punuar dikush”, ka deklaruar ai.
Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini edhe një herë ka përsëritur që janë keqkuptuar deklarata e tij për çështjen e të pagjeturve dhe Albin Kurtin.