Në diskutimin mbi mënyrën e përcaktimit të të hyrave të lejuara nga operatorët e rregulluar në sektorin e energjisë elektrike, profesori universitar, Florin Aliu ka shprehur shqetësimet e tij ndaj ZRRE-së për mënyrën dhe metodologjinë e përcaktimit të të hyrave për KEDS dhe KESCO.
Aliu në cilësinë e ekspertit, i ftuar nga Komisioni për Ekonomi, tha se formula që rezulton me 8.3 për qind për të hyrat e lejuara për këto kompani është e pasaktë.
Gjatë raportimit në komisionin parlamentar për Ekonomi, kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu këto konstatime të ekspertit Aliu i quajti dezinformata për publikun.
Fejzullahu tha se nga 20 vendet që janë pjesë e Asociacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë(ERrA), 18 vende prej tyre përdorin këtë metodologji që ka marrë ZRRE-ja.
“Pra, është një dezinformim i publikut për çështjen e formulës së përcaktimit të të hyrave”, tha ai.
Inicuesja e këtij dëgjimi, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes Mimoza Kusari – Lila kërkoi nga kryetari Fejzullahu të jetë më konçiz për këtë çështje.
Ndërsa, deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kritikuar ZRRE-në për këtë çështje, duke thënë se ka vite që ZRRE mbetet në shërbim të KEDS-it. / Gazeta Enigma.