Rreth 100 raste më pak me tuberkulozë janë shënuar për mbi shtatë muaj të këtij viti në Klinikën e Pulomologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkohë, Klinika e Pulmologjisë vijon të ndiejë mungesën e hapësirave. Nga kjo klinikë thonë se ka raste kur pacientët nuk kanë mundësi t’i hospitalizojnë, për shkak të mungesës së shtretërve. Po ashtu, thonë se ka nevojë të shtohet edhe numri i stafit të mesëm mjekësor.
Drejtori i Klinikës së Pulomogjisë në QKUK, Musa Hoxha deklaroi se këtë vit ka tendencë të rënies së numrit që diagnostikohen me sëmundjen e tuberkulozit.
Ai tha se kanë trajtuar 106 raste ndërsa pacientët e prekur janë kryesisht të moshave të reja.
“Sa i përket numrit të pacientëve të prekur me tuberkulozë, e që janë mjekuar në klinikën tonë, kemi numrin e saktë, kanë qenë 106 raste , nga 1 janari deri në ditën e sotme. Krahasim me vitin e kaluar, në bazë të mjekimit të pacientëve nga tuberkulozi në klinikën tonë që kanë qenë diku rreth 202 raste që janë mjekuar këtu tek ne, deri tash kur i krahasojmë me shtatë mujorin e parë 106 raste, në bazë të kësaj shifre vërehet një tendencë e rënies së numrit të sëmurëve nga tuberkulozi. Tek ne ende vazhdojnë të jenë moshat e reja të cilat janë të prekur me bacilin Koh, që zhvillohet në sëmundjen e tuberkulozit, por që vazhdon edhe me rastet e moshës së mesme dhe moshat e vjetra”, tha Hoxha.
Ndërkaq, sa i përket furnizimit me barna esenciale për kurimin e tuberkulozit, Hoxha theksoi se qëndrojnë mirë, derisa shton se që nga paslufta barnat i kanë siguruar nga Fondi Global.
Drejtori Hoxha thotë se ka mbi katër vite që po ballafaqohen edhe me mungesë hapësirash dhe për pasojë kanë dhoma të mbingarkuara me pacientë.
“Ne vazhdimisht po e potencojmë se Klinika e Pulmologjisë sa i përket hapësirës, nuk mjafton, se kemi numër të shtretërve të vogël, edhe ato dhoma që janë të vendosur ata shtretër, janë po ashtu që nuk i plotësojnë kushtet se janë të mbingarkuara me nga një shtrat më tepër. Duke e ditur se SHSKUK-ja nuk ka Klinikë të Pulmologjisë, jemi qiraxhinj këtu në Klinikën e sëmundjeve të lëkurës, në Klinikën e Dermatologjisë. Ne kemi 4-5 vite që ballafaqohemi me këtë problem mjaft të madh, që sidomos gjatë muajve të dimrit, për shkak se patologjia e sistemit respirator gjatë muajve të dimrit rritet për 30-40 për qind dhe nevoja për hospitalizime janë shumë më të mëdha se tani muajve të verës”, tha Hoxha.
Tutje, Hoxha potencoi se në Klinikën e Pulmologjisë është e nevojshme që të rritet edhe numri i infermierëve.
“Në klinikën tonë, sa i përket numrit të mjekëve dhe specialistëve mund të them se është i mjaftueshëm, por sa i përket stafit të mesëm, gjithmonë kemi pasur nevojë për numër më të madh të stafit të mesëm. 04:00 Ne vazhdimisht kemi bërë kërkesa për rritje të numrit të stafit të infermierëve, tash para një muaji na i kanë dërguar dy infermierë të rinj. Mirëpo, duke e ditur se nevojat gjithmonë kanë qenë më të mëdha për staf të mesëm, edhe gjatë pandemisë së Covidit, atëherë ajo nevojë është rregulluar përmes ministrisë me kontrata gjashtëmujore. Tash presim dhe shpresojmë që sa i përket numrit të stafit të mesëm, të rritet numri në të ardhmen”, tha pulmologu Hoxha./KP