Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba ka folur për planin se çfarë do të bëjnë institucionet shtetërore pas heqjes së barrikadave në veri të Kosovës.
Zybaka thënë se pas largimit të barrikadave të investohet në fushata vetëdijesuese për qytetarët që të jenë aktivë në një proces demokratik zgjedhor.
Sipas tij, sapo të ndodhë procesi zgjedhor atje e të zgjidhen përfaqësuesit e qytetarëve do të ketë investime të mjaftueshme.
“Në momentin e heqjes së barrikadave dhe krijimit të kushteve të sigurisë, lëvizjes së lirë më pas edhe të potencialit për të investuar në fushata vetëdijesuese për popullatën për të qenë aktive në një proces demokratik zgjedhor. Një proces demokratik zgjedhor që garanton një siguri dhe dalin një strukturë e re e qeverisjes lokale dhe inkuadrimit dhe një përfaqësim të ardhmen në zgjedhjet tjera zgjedhore në Kuvendin e Kosovës që të vijë përfaqësues qytetarëve dhe jo përfaqësues të strukturave instrument i Beogradit. Kjo është reforma më e madhe që i duhet veriut përveçse kushteve që i paraprin siguria. Sa po të ndodhin këto do të ketë investime të mjaftueshme”, ka deklaruar ai në Tëvë.
Zyba thotë se që 24 vite në veri nuk ka investime. Sipas tij, pjesa veriore është zonë me interes nacional.
“Janë zona me interes nacional, janë me kushte për zhvillim dhe investime të pakontestueshme, janë të lëna dore. 24 vjet nuk ka investime atje. Qeveria ka për obligim socializim të menjëhershëm, ka inkuadrim në pozicione lokale fillimisht për më pas me kriju një standard të avancimit tek politikat qendrore”, theksoi ai.