Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut.
Mirëpo, në veri, ky aksion i policisë shkaktoi dhunë e protestë nga ana e serbëve.
Luan Dalipi, Shef i Stafit në Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti, ka thënë që BE të mos provojë ta kthejë aksionin e sotëm në problem politik e etnik.
“Askush dhe në veçanti zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, nuk duhet të provojnë që këtë ta bëjnë problem politik apo etnik dhe koordinimi bilateral nuk është relevant në këtë rast, sepse ndalimi i krimit dhe tregtisë ilegale është kompetencë tipike e një vendi sovran”, është shprehur Dalipi.
Ky reagim i tij vjen pasi që Shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell tha se “veprimet e njëanshme të pakoordinuara janë të rrezikshme”.
“Aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës ka pasur në shënjestër krimin dhe kontrabandën në katër komuna në Kosovë, që njëra prej tyre është në pjesën veriore të vendit (ku kriminelët nxitën dhunë)”, ka potencuar Dalipi.
Ai ka shtuar se huliganët e dirixhiuar nga Beogradi, për të bërë që problemi të duket ndëretnike në mes të qytetarëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë.