Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e ka nisur të enjten misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit dhe zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në Maqedoninë e Veriut.
Shefja e ODIHR, ambasadorja kanadeze Jillian Stirk, tha se puna e misionit është të mbikëqyrë nëse zgjedhjet janë në përputhje me angazhimet ndaj OSBE-së dhe detyrimet e tjera ndërkombëtare, si dhe me legjislacionin vendor.
“Për herë të parë në Maqedoninë e Veriut do të monitorojmë zgjedhje të dyfishta, presidenciale dhe parlamentare. Dy proceset do t’i analizojmë veçmas, ndërsa më pas do të dalim me një raport preliminar mbi rrjedhën e procesin, kurse raporti final do të prezantohet dy muaj pas zgjedhjeve”, tha Stirk.
Misioni do të përbëhet prej 12 ekspertëve ndërkombëtarë nga 12 vende anëtare të OSBE-së.
Përveç një ekipi kryesor, do të jetë edhe një grup vëzhguesish afatgjatë prej gjithsej 20 vetave, të cilët do të shpërndahen në disa qytete.
Stirk tha se, për shkak se bëhet fjalë për zgjedhje të dyfishta, misioni i ka kërkuar edhe 300 vëzhgues afatshkurtër të cilët duhet të vijnë menjëherë para zgjedhjeve.
E pyetur rreth kërkesës së Bashkimit Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, për numër më të madh të vëzhguesve ndërkombëtarë për shkak të siç thuhet “rrezikut për tensione”, shefja e misionit tha se kjo varet nga vlerësimet në terren.
“Numri i monitoruesve varet nga rekomandimet e misionit mbi vlerësimin e nevojave për ndjekjen e procesit zgjedhor”, theksoi ajo.
Ndërkohë, lidhur me procesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut, me vlerësime ka dalë edhe organizata joqeveritare “Civil”, duke akuzuar institucionet për mos respektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it sa i përket të drejtës së votës.
Kjo organizatë pretendon se disa mijëra qytetarë, kryesisht me aftësi të kufizuara, nuk janë në listat e votuesve, si dhe ka ngritur shqetësimin edhe për përhapjen e gjuhës së urrejtjes.
“Prej fillimit të vitit 2024 kemi regjistruar mbi 3.000 raste të gjuhës së urrejtjes, sikur edhe 200 raste të dezinformateve të ndryshme në rrjetet sociale… Kemi të bëjmë me dy grupe që përdorin forma të ndryshme për etiketimin e kundërshtarëve politikë. Një pjesë e subjekteve politike, edhe pse jo gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë, orientimin e tyre të qartë antiperëndimorë e manifestojnë përmes narrativeve të vazhdueshëm diskredituese dhe proceseve me rëndësi strategjike që mbështesin orientimin euroatlantik të vendit”, tha Xhabir Deralla, nga organizata joqeveritare “Civil”.
Në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të marrin pjesë shtatë kandidatë.
Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, ndërsa VMRO DPMNE-ja opozitare me deputeten aktuale Gordana Siljanovska Davkova, e cila ishte kandidate për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Në garën zgjedhore do të marrin pjesë edhe dy shqiptarë. Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit.
Pjesë e garës do të jenë edhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”, Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup.
Ky i fundit më 18 mars u fut në listën e zezë amerikane për veprime korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar veten dhe bashkëpunëtorët e tij, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit./REL