Ish-trajneri kampion me Tiranën, Emmanuel Egbo, është emëruar trajner i ri i Prishtinës, ka konfirmuar klubi kryeqytetas të enjten.
Egbo u shpall kampion me Tiranën në sezonin 2019/20.
Egbos në punën e tij në ekipin e Prishtinës do t’i ndihmojë nga afër edhe trajneri nga Shqipëria, Eldiano Topi.
“E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës. Nuk ishte shumë e vështirë të pranoja ofertën. Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina dhe nuk e pata të vështirë të pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin. Nga afër nuk e njoh ekipin, por kam ndjekur skuadrën edhe në të kaluarën, por edhe tash së fundi, nga pamjet televizive në Shqipëri, por edhe nga video-ndeshjet. Por, objektivat janë të qarta, arritja më e pakët është Evropa, pse jo edhe më lartë, por kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar me të gjithë punëtorët e klubit deri te futbollisti më kryesor i skuadrës”, ka thënë Egbo gjatë prezantimit, sipas faqes zyrtare të Prishtinës.
Egbo do ta zëvendësojë Debatik Currin në krye të klubit bardhekaltër.
Prishtina, aktualisht zë vendin e katërt në Superligën e Kosovës me 13 pikë dhe është në një seri prej shtatë ndeshjeve pa fitore.