Policia e Kosovës ka bërë të ditur se zyrtarë të saj dhe të Policisë së Shqipërisë janë certifikuar në trajnimin themelor për teknikë të bombave, shkruan Enigma.
“Më 18 tetor 2024, në bazën e Njësive Speciale ‘Vrella’, përfundoi me sukses ‘Trajnimi Themelor për Teknik të Bombave’, ku pesë zyrtarë nga Policia e Kosovës dhe shtatë zyrtarë nga Policia e Shqipërisë u certifikuan pas trajnimit intensiv”- thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, ky program i zhvilluar në bashkëpunim me Njësinë Speciale për Trajtimin e Mjeteve Eksploduese (NJTME), përfshiu trajnim teorik dhe praktik, me qëllim rritjen e kapaciteteve në identifikimin dhe çaktivizimin e mjeteve eksplozive.
Bashkëpunimi mes policive të të dyja vendeve, ka thuhet në njoftim, ka kontribuar ndjeshëm në shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e kapaciteteve të përbashkëta operacionale.