Prokuroria Speciale, Dogana e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës kanë zhvilluar të shtunën një aksion në veri të vendit, që rezultoi me arrestimin e tetë zyrtarëve të Doganës dhe një pjesëtari të Policisë Kufitare, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Arrestimi i tyre erdhi pas kontrolleve që u kryen në 11 lokacione, ku u kapën zyrtarët e dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme.
Zyrtarët e arrestuar do të dalin në orën 11:00 para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku do të mbahet seanca dëgjimore dhe më pas do të vendoset për masën e paraburgimit.
Sinjali ka publikuar ekskluzivisht emrat e zyrtarëve të Doganës dhe pjesëtarit të PK-së, që u ndaluan pas këtij aksioni.
Zyrtari policor që ra në prangat e IPK-së është Arben Aliu – i cili është dërguar në mbajtje, bashkë me zyrtarët e Doganës.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin se tetë doganierët e arrestuar janë:
- Admir Sejdiu
- Granit Zymberi
- Verodraf Miletic
- Mensur Stagova
- Tomislav Dimic
- Andrija Cavie
- Nenad Mitic
- Mirko Jevtic
Prokuroria Speciale njotoi se kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve të dyshuar për veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Marrja e ryshfetit’.
Sipas Prokurorisë Speciale, operacioni u krye pas një hetimi të gjatë.
Autoritetet bënë të ditur se gjatë bastisjeve janë sekuestruar prova materiale për të mbështetur procedurën hetimore, sikurse: 20 plomba zyrtare të Doganës, dhjetë telefonë dhe katër sim kartela, një pistoletë me leje me tre karikator dhe nëntë fishekë dhe 16 copë municion jozyrtar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.