Mbi 700 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të shtetit vitin e kaluar pagat e rreth 150 zyrtarëve serbë të cilët kanë kontrata pune me institucionet e vendit, por që s’kanë punuar. Raportet e auditimit kanë treguar se këtyre pjesëtarëve të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’, u janë kryer pagesat në mungesë të dëshmive për vijueshmërinë në punë.
Por, me cilat institucione kanë kontrata ata dhe sa u paguan gjatë 2022-s:
“Në Ministrinë e Mjedisit janë të angazhuar 64 punonjës të komunitetit serb. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre gjatë vitit 2022 ishte 313.899. Në Ministrinë e Industrisë janë të angazhuar 25 pjesëtarë të këtij komuniteti, të cilët janë paguar 127 mijë e 298 euro, në Ministrinë e Punëve të Brendshme janë të punësuar 20 pjesëtarë, të cilët u paguan 101 mijë e 474 euro, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim 20 pjesëtarë, të cilët u paguan 105.266 euro, ndërsa në atë të Kulturës 20 të punësuar, të cilët u paguan 76 mijë e 791 gjatë 2022”.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se institucionet veç e veç duhet t`i rregullojnë marrëdhëniet e punës për këta punonjës.
Mirëpo, sipas Zyrës Kombëtare të Audimit, ministritë e lartpërmendura ende nuk kanë arritur që të ndërmarrin masa konkrete në sistemimin dhe angazhimin e kësaj kategorie të punëtorëve.
Kosova e Serbia në vitin 2015 kishin nënshkruar marrëveshjen e cila kishte si qëllim integrimin në institucione të pjesëtarëve të organizatës “Mbrojtja Civile”, e cila këtë vit u shpall terroriste nga ekzekutivi kosovar.
Kosova kishte ofruar mbi 480 vende të punës për këta pjesëtarë në ministri e agjenci shtetërore./RTK