Zyrtari i NATO-s në Kosovë: Ballkani Perëndimor nuk përballet me asnjë kërcënim të afërt

Zyrtari i NATO-s në Kosovë: Ballkani Perëndimor nuk përballet me asnjë kërcënim të afërt

Zëvendës sekretari i NATO-s, gjeneral Mircea Geoana vizitoi të enjten Prishtinën ku u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe vizitoi misionin paqeruajtës të KFOR-it.

Geoana denoncoi “luftën e palogjikshme dhe brutale” të Rusisë në Ukrainë dhe “ndikimin e saj agresiv dhe keqdashës mbi Ballkanin Perëndimor”.

“Ne kemi një interes strategjik… në Ballkanin Perëndimor. Dua të dërgoj një mesazh shprese për të gjithë njerëzit në Ballkanin Perëndimor se në fund të gjithë ne do ta gjejmë veten në familjen evropiane dhe euroatlantike”, tha ai për Associated Press.

Disa vende të Ballkanit Perëndimor janë anëtarë të NATO-s – Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut – ndërsa Serbia dhe Bosnja Hercegovina janë partnerë.

Kosova ka konfirmuar se do të aplikojë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, që konsiderohet si hapi i parë në procesin e anëtarësimit në NATO.

Trupat e NATO-s kanë qenë të pranishme në Kosovë që nga viti 1999 pas luftës ndaj Serbisë, e cila përfundoi me një fushatë 78-ditore bombardimesh të NATO-s.

Geoana përshëndeti anëtarët e NATO-s në rajon, të cilët kanë rritur shpenzimet e mbrojtjes si “një reagim i natyrshëm ndaj agresivitetit rus”, duke shtuar se NATO “do të mbronte të gjithë aleatët dhe çdo centimetër katror të territorit”.

Geoana rikonfirmoi zotimin e aleancës për të “qëndruar pranë Ukrainës për aq kohë sa do të nevojitet”.

“Ata e meritojnë ndihmën tonë. Dhe ai komb i madh meriton të jetë një komb i lirë, i pavarur, sovran në Evropë”, tha ai.

Related Articles