Zyrtari i Pentagonit: Hersoni është “sërish territor i kontestuar”

Zyrtari i Pentagonit: Hersoni është “sërish territor i kontestuar”

Hersoni, qyteti jugor ukrainas, që ishte qyteti i parë i madh që u mor nën kontroll nga forcat ruse në fillim të luftës, është “sërish territor i kontestuar”, u tha gazetarëve një zyrtar i mbrojtjes amerikane.

Nëse qyteti – që gjendet afër Gadishullit të Krimesë – do të rimerret nga Ukraina, do të paraqiste një pengesë të madhe për ofensivën e Rusisë.

Ushtria ruse ka kundërshtuar se e ka humbur kontrollin e Hersonit dhe ukrainasit në terren nuk kanë raportuar se e kanë rimarrë kontrollin e këtij qytetit.

“Ukrainasit po tentojnë që ta rimarrin Hersonin, dhe ne themi se Hersoni në të vërtetë sërish është një territor i kontestuar”, tha ky zyrtar i Pentagonit.

“Ne nuk mund ta vërtetojmë saktësisht se kush po e kontrollon Hersonin, por çështja është se ai qytet nuk duket të jetë aq solid në kontrollin rus, siç ishte më parë”, shtoi ky zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti.

Sipas raportimeve të fundit, luftimet po zhvillohen në rajonin e Herson Oblast, teksa Rusia vazhdon të fokusojë përpjekjet e saj për të marrë qytetet në jug të Detit të Zi.

Related Articles