Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka deklaruar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian.
Borrell komente i bëri para darkës joformale me gjashtë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryediplomati evropian tha se çështja e sigurisë në Evropë pas pushtimit rus të Ukrainës do të jetë në krye të agjendës së darkës në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor.
“Dua të diskutoj me partnerët tonë më të ngushtë, 6 liderët ballkanikë përfaqësojnë partnerët tanë më të afërt, dhe jo vetëm nga pikëpamja gjeografike. Unë jam duke folur me ta si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian, për të diskutuar se si mund t’i trajtojmë së bashku pasojat e kësaj lufte”.
“Si gjithmonë, unë jam i etur të dëgjoj shqetësimet e këtyre liderëve, duke pasur parasysh këtë situatë, dhe se si ata parashikojnë veprimin tonë të përbashkët për të mbrojtur rregullat dhe vlerat, dhe si të trajtojmë ndikimin negativ të luftës së Putinit në ushqim, energji dhe stabilitetin në kontinentin tonë të përbashkët. Sepse ne e dimë se Rusia po përpiqet të shfrytëzojë dobësitë tona dhe dobësitë e rajonit. Ne duhet të punojmë së bashku për të mos lejuar që Rusia të shfrytëzojë këto dobësi”, tha Borrell.
Kryediplomati evropian tha se takimi me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një mundësi për përgatitje të takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së që do të mbahet të hënën e ardhshme për rajonin. Ai ndërkaq përsëriti se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian.
“Ballkani Perëndimor është pjesë e jona, është pjesë e gjeografisë sonë, dhe ne do të veprojmë së bashku për të përballuar veprimet përçarëse të Rusisë të bëra drejtpërdrejt kundër rajonit, përmes dezinformimit dhe sulmeve kibernetike”.
“Dua të theksoj nevojën për të qëndruar të bashkuar dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar së bashku një Evropë të sigurt, të qëndrueshme dhe të begatë. Ky është interesi ynë kolektiv. Kjo është mënyra më e mirë për të ndërtuar një të ardhme për Ballkanin Perëndimor, sepse e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian”, tha Borrell.
Në darkën jo formale Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Kosova nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, pasi presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, gjenden për vizitë në SHBA.
Kësaj here, darka e Brukselit përkon me situatën e vështirë të krijuar nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe që ka hyrë në muajin e tretë.