​Sveçla: Jemi në fazën përfundimtare të finalizimit të Projektligjit për zyrtarët publikë

​Sveçla: Jemi në fazën përfundimtare të finalizimit të Projektligjit për zyrtarët publikë

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë në fazën përfundimtare të finalizimit të Projektligjit për zyrtarët publikë.



Sveçla para deputetëve të Kosovës, ku sot është thirrur në interpelancë për këtë çështje, tha se ekzekutivi përmes ndryshimeve do të adresojë problemet që janë gjetur nga Gjykata Kushtetuese.

“Si Ministri bartëse për hartimin e këtij ligji që një kohë jemi duke punuar për të hartuar dhe miratuar një ligj i cili është në harmoni me të gjeturat e Gjykatës Kushtetuese, që adreson problemet e hasura në zbatim dhe që njëkohësisht përkon me parimet dhe prioritetet Qeverisë. Në këtë drejtim, Ministria e Punëve të Brendshme është në fazën përfundimtare të finalizimit të ligjit të cilin presim shpejt ta procedojmë në procedurat e konsultimeve”.

Përmes Ligjit për Zyrtarët Publik, synohet digjitalizimi i tërësishëm i procesit të rekrutimit përmes të cilit qëllimi është rritja e transparencës dhe efikasitetit të institucioneve publike në rekrutim dhe për rjedhojë edhe rritjen e besimit të qytetarëve në proceset e rekrutimit pranë institucioneve publike.

“Digjitalizimi i këtyre proceseve, do të bëhet gradualisht deri në zhvillimin e të gjitha procedurave rekrutuese në mënyrë elektronike dhe transparente. Ky është një hap rrënjësor drejt reformës për ngritjen e standardit për një administratë profesionale, transparente dhe nivel të shtuar të llogaridhënies. Megjithatë, krahas me avancimin e procesit të digjitalizimit, është e domosdoshme që të krijohet infrastruktura ligjore dhe institucionale që e rritë dhe e mbronë sigurinë e këtyre proceseve nga sulmet kibernetike, një nevojë e pashmangshme kjo duke marrë parasysh zhvillimin teknologjik të kohës sonë”.

“Kjo do t’u mundësojë zyrtarëve publik dhe gjithë qytetarëve mundësinë të hyjnë në garë të gjithë të barabartë, të trajtohen njëjtë dhe pa ndërhyrje në proceset e rekrutimit”, ka deklaruar Sveçla.

Related Articles