Policia e Kosovës të mërkurën ka shpallur në kërkim dy persona. Një 13-vjeçare e cila është raportuar si e zhdukur, dhe një 31-vjeçar i cili dyshohej se ishte me të miturën. Të njëjtën ditë, janë gjetur të dy. E mitura është strehuar në vend të sigurt, ndërkaq 31-vjeçari është arrestuar nën dyshimin se e ka dhunuar 13-vjeçaren.
Një 13-vjeçare nga fshati Janosh i Gjakovës u shpall në kërkim mesditën e së enjtes. Policia në kërkesën për bashkëpunim deklaroi se e mitura është raportuar si e zhdukur nga familja, më 23 shtator.
Përveç saj, në kërkim u shpall edhe një 31-vjeçar nga fshati Treboviq i komunës së Pejës. Ai dyshohej se po e shoqëronte të miturën.
Express nga burime brenda policisë së Gjakovës merr vesh se të enjten janë gjetur viktima dhe i dyshuari, në fshatin Vitomoricë të Pejës.
“Dje është gjetur në fshatin Vitomiricë në Pejë. I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa viktima është strehuar në shtëpinë e sigurt”, ka bërë të ditur burimi brenda policisë.
Me urdhër të prokurorit, viktima sot gjatë ditës do t’i nënshtrohet një ekzaminimi mjekësor.
I njëjti burim ka deklaruar se është bërë rikualifikimi i veprës nga “Person i zhdukur” në “Dhunim”.
“Pas itnervistimit të palëve, vepra penale nga “Person i zhdukur” është rikualifikuar në “Dhunim”. Hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjakovë, nën mbikëqyrje dhe bashkëpunim të afërt me prokurorin kompetent”, kanë deklaruar nga policia.
Ndryshe, policia të enjten bëri me dije se lidhur me rastin janë intervistuar disa persona dhe janë kontrolluar disa lokacione të dyshuara.
Po ashtu, me autorizim të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, policia dje publikoi edhe të dhënat personale dhe fotografitë e viktimës dhe të të dyshuarit.