Lista “Guxo” me dy kryetarë – ja disa shembuj të ngjashëm nëpër botë

Lista “Guxo” me dy kryetarë – ja disa shembuj të ngjashëm nëpër botë

Lista “Guxo” të mërkurën (07.09.2022) mbajti kuvendin e parë zgjedhor, me ç’ rast u bë edhe partia e parë dhe e vetme në Kosovë e cila udhëhiqet nga dy bashkëdrejtues.

Ishin Faton Peci dhe Donika Gërvalla-Schwarz atë që morën besimin për ta drejtuar subjektin më të ri politik në vend.

Emërimi i dy personave si kryetarë partie u prit me habi pasi që është një rast i pashembullt deri më tash në shoqërinë kosovare, ani se ka pasur të paktën dy subjekte, që kishin premtuar por jo edhe realizuar drejtimin e dyfishtë.

Por, sa është i njohur ky koncept partiak nëpër botë?

Sipas një hulumtimi të bërë nga Klan Kosova, del se një koncept i tillë nuk është edhe aq i ri nëpër botë pasi që kryesisht janë partitë e gjelbra ato që e mundësojnë një gjë të tillë.

Një ndër partitë më të hershme që e praktikon ndarjen e pushtetit ndërmjet një burri dhe një gruaje që nga viti 1990, është Partia e Gjelbër e Aotearoa në Zelandë të Re. Liderë aktualë të kësaj partie janë Marama Davidson dhe James Shaw.

Historikisht, ky subjekt ka pasur dy bashkëdrejtues, një mashkull dhe një femër. Në maj të vitit 2022, anëtarët e Partisë së Gjelbër votuan për të ndryshuar modelin e bashkëudhëheqjes, duke kërkuar tani një udhëheqëse femër dhe një udhëheqës të çdo gjinie dhe se duhet të jetë nga komuniteti aborigjinal.

Po ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar është Partia e Gjelbër ajo që ka nisur me praktikimin e këtij koncepti që nga viti 2016. Të parët që e nisën këtë koncept ishin bashkëpartiakët Caroline Lucas dhe Jonathan Bartley.

“Ekziston një ndjenjë, të cilën e kemi ndjerë shumë fuqishëm me vetë idenë e ndarjes së punës. Sa më shumë ide, sa më pluraliste politika juaj, aq më shumë ka gjasa që ato të jenë efektive dhe të arrijnë më shumë njerëz”, është deklaruar Lucas.

Tashmë kjo parti ka një traditë gjashtëvjeçare të udhëheqjes nga një burrë dhe një grua në të njëjtën kohë.

Edhe në Gjermani është Partia e Gjelbër ajo që ka përqafuar konceptin me dy liderë. Momentalisht këtë subjekt e drejtojnë Ricarda Lang dheOmid Nouripour.

Tani Kosova për herë të parë ka një parti të tillë, por nuk dihet se si kjo parti do të regjistrohet nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pasi që deri më tani tradicionalisht si kryetar i një subjekti politik është emëruar vetëm një person.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmi Elezi, ka bërë të ditur se e kanë vëzhguar kuvendin zgjedhor të Listës “Guxo” dhe se ky komision do ta paraqesë një raport lidhur me këtë rast, shkruan Klan Kosova.

Related Articles