Shkelje të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2020 për Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Sipas auditorit çdo zyrtar publik shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik. Por, ZKA-ja ka vërejtur që në MKK, mungojnë dëshmitë për vijueshmërinë në punë për njëzet (20) punonjës të saj.
“Të njëjtit asnjëherë nuk figurojnë në regjistrin e ardhje vajtjeve në punë gjatë vitit 2020 përderisa kompensimi vjetor për këta të punësuar ishte 103,562.40€. Për më tepër, nuk ka dëshmi për realizimin/kryerjen e punëve në përputhje me përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive që u janë ngarkuar. Përveç këtyre, edhe në një rast (Udhëheqësi i Divizionit për planifikim të politikave) kemi vërejtur që nuk kishte dëshmi për vijueshmërinë në punë për periudhën e ekzaminuar nëntor 2020. Shkaku i mos paraqitjes në punë të këtyre zyrtarëve ishte mos krijimi i kushteve të duhura për punë, kontrolli i dobët dhe mos monitorimi i tyre nga menaxhmenti i ministrisë. Ndërsa për punonjësin Udhëheqësi i Divizionit për planifikim të politikave, sipas zyrtarëve përgjegjës, shkak ishte mungesa e kartelës” thuhet në raport.
Më tutje në raport thuhet se mos vijueshmëria në punë dhe mos realizimi i detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me akt emërimet është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe paraqet shembull jo të mirë tek punonjësit tjerë.
“Kompensimi i tillë i zyrtarëve e dëmton buxhetin dhe reputacionin e organizatës në përgjithësi, gjithashtu e rrit rrezikun që organizata të dështoj në realizimin e objektivave të saja. Ministri duhet të siguroj kontrolle adekuate në fushën e personelit, të zgjidhë problemin e angazhimit të punonjësve në punë dhe të ndërmerren hapat e duhur për zbatimin e legjislacionit në fuqi duke siguruar menaxhim efikas dhe efektiv të organizatës në drejtim të realizmit të objektivave të saj” ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit.