Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në nder të 26-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe, ka bërë homazhe në Kompleksin përkujtimor të dëshmorëve në Krushë të Madhe, si dhe te vendi i rënies së dëshmorëve të kombit, Dalip Behra dhe Bekim Gashi, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurti tha se ky vend u shndërrua në ngritje sublime për një ardhmëri gjithnjë e më të ndritshme.
“Jemi këtu në Rreze të Krushës së Madhe, që të përkujtojmë rënien heroike të Dalip Behrës dhe Bekim Gashit, që u shndërrua në ngritje sublime për një ardhmëri gjithnjë e më të ndritshme, të shtetit tonë, të popullit tonë, të shoqërisë e të kombit tonë mbarë, duke u bazuar në idealet e rilindasve dhe në dëshirat e rinisë, nevojat e popullsisë dhe ëndrrat e fëmijëve”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se gjatë luftës çlirimtare nuk është ndalur asnjëherë kënga e lirisë dhe se kjo këngë nuk duhet të ndalet as në paqe.
Tutje, Kurti përmendi se Dalip Behra dhe Bekim Gashi janë frymëzuar nga kënga shqipe, heronjtë, dëshmorët dhe martirët e historisë kombëtare, si dhe nga intelektualët e mëdhenj të popullit tonë, duke veçuar profesor Ukshin Hotin dhe bacën Ukë, të cilit i ka qëndruar pranë Ismet Gashi, babai i dëshmorit Bekim Gashi.
Kurti përfundoi duke theksuar rëndësinë e forcimit të ushtrisë, policisë dhe mbrojtjes së territorit të Kosovës: “Betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë fare të afërta në kohë. Dhe pikërisht për shkak se janë të afërta në kohë, ato e rrisin obligimin tonë, që ta forcojmë ushtrinë tonë, ta forcojmë policinë tonë, ta mbrojmë Kosovën anekënd përgjatë kufirit dhe në çdo metër katror të territorit të saj të pacenueshëm e të patjetërsueshëm”.