Komuna e Gjilanit i lë studentët pa bursa për vitin akademik 2022/2023

Komuna e Gjilanit i lë studentët pa bursa për vitin akademik 2022/2023

Studentët e komunës së Gjilanit, nuk e kanë mundësinë si shumë studentë të komunave të tjera të fitojnë bursa për vitin akademik 2022/2023, shkruan Gazeta Enigma.

Për Gazetën Enigma, studentja e kësaj komune me inicialet F.F, deklaroi se për vitin akademik 2022/2023, nga komuna e Gjilanit nuk është bërë shpallja e konkursit për bursa.

“Për dallim prej komunave të tjera, komuna e Gjilanit, nuk e ka bërë shpalljen e konkursit për bursa për vitin akademik 2022/2023, dhe kjo gjë ndikon pak a shumë si moralisht, edhe financiarisht te shumë studentë të kësaj komune në rrugëtimin studentor. Siç edhe dihet gjendja ekonomike në vend, për shumë studentë mund të ishte një ndihmë mjaft e mirë nga Komuna ndarja e bursave”, tha ajo për Enigmën.

Edhe pse Drejtoria e Arsimit nuk ka dal në publik me ndonjë njoftim se çka po planifikohet në lidhje me bursat, drejtoresha e Arsimit për komunën e Gjilanit, në një përgjigje për Enigmën theksoi se konkurset do të hapen në muajin shtator dhe tetor të këtij viti, që i bie për vitin akademik 2023-2024, gjë që rezulton se viti akademik 2022/2023 nuk do të ketë bursa për studentët nga kjo komunë.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Gjilanit, Albana Demiri

“Do të ketë hapje të konkursit në muajin shtator dhe tetor për bursa”, ishte përgjigja e saj.

Teksa kur u pyet se bursat që janë planifikuar të jepen në tetor, a i takojnë vitit akademik 2023/2024, Demiri potencoi se ky është qëllimi pse do të publikohen gjatë atyre muajve.

Por, që fatkeqësisht për vitin akademik 2022/2023 nuk do të ketë bursa.

“Natyrisht, sepse përshtatet me vitin akademik të studentëve, ky ka qenë edhe qëllimi pse gjatë këtyre muajve do të shpallet konkursi”, u shpreh Demiri.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe asambleistja e LDK-së, Gresa Avdiu, e cila theksoi se nuk ka buxhet komunal të ndarë për bursat e vitit akademik 22/23, me ç’rast nuk është ekzekutuar ndarja e bursave.

Asambleiste e LDK-së, Gresa Avdiu

“Për shkak se Komuna e Gjilanit këtë vit nuk ka planifikuar me buxhet komunal mjete për bursat për vitin akademik 22/23, nuk është bërë as ndarja e bursave. Hera e fundit që Komuna e Gjilanit ka ndarë bursa ka qenë në maj të vitit 2022, bursa këto të ndara për vitin 21/22, por për shkak se në tetor të vitit 2021 kishim zgjedhjet lokale, bursat u ndanë 7 muaj me vonesë, pra bursa të planifikuara nga ish- qeverisja komunale”, deklaroi Avdiu për Enigmën.

Avdiu potencoi se një çështje të tillë e ka diskutuar në seancat e Kuvendit Komunal si dhe me drejtoreshën aktuale dhe ish-drejtoreshën e Drejtorisë së Arsimit.

“Si anëtare e Kuvendit Komunal, shqetësimin për mos ndarjen e bursave për një vit akademik e kam ndarë disa herë në seancat e Kuvendit Komunal dhe gjithashtu kam biseduar edhe me drejtoreshen aktuale dhe ish-drejtoreshen e Drejtorisë së Arsimit për rregulloren e re për bursa dhe për nevojën e studentëve gjilanas që bursat t’i përfitojnë çdo vit. Si LDK e shohim me shumë prioritet arsimin në komunën tonë, andaj uroj shumë që kjo që ka ndodhur në këtë vit me studentët tanë të mos përsëritet”, vazhdoi Avdiu.

Përgjigja e vetme që ajo ka marrë nga drejtoresha e Arsimit, është se bursat do të ndahen në muajin tetor të këtij vitii, që i bie për vitin akademik 2023/2024.

Avdiu shfaqet krahhapur dhe e gatshme të konfrontohet me këdo lidhur me këtë çështje mjaft të ndishme e cila prek shumë studentë.

“Në bazë të përgjigjeve që kemi marrë nga drejtoresha Demiri, bursat do të ndahen tek në tetor të këtij viti, pra për vitin akademik 2023/24. Jam e gatshme të jap kontributin tim kurdo që kërkohet për këtë çështje, dhe këtë kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë edhe anëtarët e Kuvendit Komunal nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit për Bursa”, përfundoi ajo./GAZETAENIGMA/

Related Articles