Data 22 janar, shënon 27-vjetorin e sulmit të dytë të Serbisë mbi familjen e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz.
Më 1998, në po këtë datë qysh në orët e hershme të mëngjesit, nga Fabrika e Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari, kishin lëvizur forca të policisë serbe, të cilat ishin drejtuar drejt Kullës së Jasharëve, për ta sulmuar atë me armë të llojeve të ndryshme.
Pasi që atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, rezistencë sulmit të policisë serbe i kishin bërë Shabani e Hamza, me nipa e mbesa.
Plagë kishin marrë disa anëtarë të familjes Jashari pas rezistencës që shfaqën ndaj sulmit, ndërsa forcat e armikut ishin detyruar të tërhiqen.
Sulmi i tretë i Serbisë në familjen Jashari kishte ndodhur më 5 mars 1998.
Pas një lufte që kishte zgjatur tri ditë, kishin rënë heroikisht 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK, Adem Jasharin. /Gazeta Enigma