Sot bëhen 29 vjet nga gjenocidi më i madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës, gjenocid ky që u krye nga forcat serbe, ku për vetëm një masdite u masakruan mbi 8,000 burra e djem myslimanë, njofton Gazeta Enigma.
Zona atëherë ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziq lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën.
Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.
Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën.
Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.
Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës.
Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë.
Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiq hyri në Srebrenicë.
Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.
Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa nëpër pyjet përreth.
Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite, derisa identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.
Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.
Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në masakër.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.
Më 23 maj, Asambleja Parlamentare e OKB-së, e ka miratuar rezolutën që njeh gjenocidin në Srebrenicë.
Përmes kësaj rezolute, 11 korriku njihet zyrtarisht si Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. /Gazeta Enigma