30 ditë paraburgim për shtatë të dyshuarit për 400 kg drogë në Lipjan

30 ditë paraburgim për shtatë të dyshuarit për 400 kg drogë në Lipjan

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Izet Sheqirit, Kadri Sheqirit, Kadri Ibrahimit, Fehmi Bytyqit, Faton Vrajollit, Enver Belegut dhe Bajram Maliqit.



Ata po dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal”, lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.

Shtatë të dyshuarit u arrestuan gjatë një aksioni të policisë të hënën në Lipjan, ku u gjetën dhe sekuestruan 400 kg kokainë, që dyshohet se ka ardhur nga Brazili, e fshehur në pakot e produkteve të mishit.

Sipas Prokurorisë, të arrestuarit kanë qenë në dijeni se në kamionin e ardhur nga Brazili ka pasur edhe substanca narkotike.

Ndërkaq, mbrojtësi i të dyshuarit Izet Sheqiri, avokati Besnik Berisha, ka thënë se të dyshuarit nuk janë kriminelë siç pretendon prokuroria, por afaristë të ndershëm, të cilët nuk kanë qenë në dijeni se në kamion ka substanca narkotike.

Related Articles