Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) e asistuar nga Policia e Kosovës (PK), po vazhdojnë punën në mbikëqyrje të zbatimit të masave COVID sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për parandalimin dhe luftimin e përhapjes së sëmundjes.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se, gjatë dy javëve të para të vitit 2022 kanë realizuar 2000 inspektime, ku kanë shqiptuar 300 gjoba e janë mbyllur 75 lokale të gastronomisë.
“Bazuar në situatën epidemiologjike, rritjen e numrit të të infektuarve, ne si dy autoritete ligj zbatuese kemi shtuar kontrollet me qëllim të parandalimit të rritjes së infektimeve, aktivitete të cilat po shtrihen në nivel vendi si dhe ruajtjes se jetës dhe shëndetit publik.
“AUV gjatë kohës së mbajtjes se festave të fund vitit dhe këtyre dy javëve të para ka rritur numrin e kontrolleve zyrtare, duke realizuar rreth 2000 inspektime në nivel vendi, gjatë të cilave janë shqiptuar 300 gjoba ndaj operatorëve ekonomik, e po ashtu janë mbyllur 75 lokale të gastronomisë. Janë ndryshuar planet operative të punës për kontrollet zyrtare në koordinim me Policinë e Kosovës”
“Në vazhdimësi po rrisim numrin e kontrolleve, e po ulim tolerancën ndaj shkelësve, për secilën pikë të vendimit do të pasoj masa ndëshkimore. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, nga Policia e Kosovës (PK),vetëm mbrëmë në rajonin e Prishtinës janë shqiptuar (172) gjoba për mos respektim të masave Anti-Covid”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim sqarohet edhe rasti i një veprimi të institucioneve në komunën e Graçanicës.
“Me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik dhe mediave të cilat i referohen një veprimi të institucioneve në komunën e Graçanicës, ju informojmë se në lokacionin në fjalë sipas detyrës zyrtare Policia e Kosovës vetëm ka asistuar inspektorët e AUV-it në realizimin e detyrave të tyre, për mbikëqyrje të zbatimit të masave ndaj pandemisë COVID-19, veprime këto të cilat ndërmerren në nivel vendi, aty ku ka informacione për grumbullim apo mosrespektim të masave ndaj pandemisë”, bëhet e ditur në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhet se, institucionet e Republikës së Kosovës në këtë rast Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) e asistuar nga Policia e Kosovës (PK), janë të përkushtuara të ushtrojnë autorizimet e tyre për ngritjen e nivelit të respektimit të masave Anti-Covid./Gazeta “Enigma”/