Në këtë datë të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan këtë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë, dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.
Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua Deklarata e Pavarësisë, filloi një aparteid i regjimit të kasapit Slobodan Milosheviq ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë.
Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë, në shenjë respekti për sakrificën dhe aktin e deputetëve të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, do të organizojnë sot një orë letrare duke filluar nga ora 10:00 te platoja e Teatrit Kombëtar në Prishtinë. /Kp/