Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Kamenicës ka angazhuar 32 punëtorë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, pa respektuar procedurat e kërkuara me ligj, duke konstatuar se ata janë përdorur për të kryer detyra të rregullta të punës dhe jo shërbime specifike, siç parashihet me legjislacion.
Kjo është një nga gjetjet kryesore të raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Kamenicës për vitin 2025. Për këtë çështje, ZKA ka dhënë konkluzion për mospajtueshmëri dhe ka kërkuar ndërprerjen e praktikës.
Sipas raportit, Ligji për Zyrtarët Publikë përcakton se marrëveshjet për shërbime të veçanta lidhen sipas legjislacionit për prokurimin publik, ndërsa Rregullorja për Prokurimin Publik parasheh se këto shërbime mund të përdoren vetëm kur nevoja nuk mund të mbulohet nga stafi ekzistues. Gjithashtu, Ligji i Punës kufizon kohëzgjatjen e kontratave për një detyrë specifike në maksimum 120 ditë brenda një viti.
Megjithatë, auditorët konstatuan se Komuna kishte angazhuar 32 punëtorë përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, pa zbatuar procedurat e prokurimit publik dhe pa zhvilluar procedura rekrutimi me kritere përzgjedhëse.
“Komuna kishte angazhuar 32 punonjës përmes ‘Marrëveshjeve për shërbime të veçanta (MShV)’, pa respektuar procedurat e prokurimit publik dhe pa aplikuar procedurë të rekrutimit me kritere përzgjedhëse. Për më tepër, angazhimi i tyre ka qenë për kryerjen e detyrave që i përkasin pozitave të rregullta të punës, e jo për shërbime të veçanta apo detyra specifike, siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi”, thuhet në raport.
Auditimi gjeti gjithashtu se në 10 raste, kohëzgjatja e kontratave kishte tejkaluar kufirin ligjor prej katër muajsh.
Sipas ZKA-së, kjo praktikë ishte rezultat i mungesës së pozitave të aprovuara të punës sipas Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës.
Auditorët vlerësojnë se anashkalimi i procedurave të prokurimit dhe i procedurave të tjera ligjore për angazhimin e stafit cenon transparencën dhe konkurrencën.
“Kjo praktikë eliminon konkurrencën e hapur dhe rrit rrezikun e angazhimit të personave jo adekuatë për pozita dhe detyra të caktuara, duke ndikuar negativisht në cilësinë e punës”, thuhet në raport.
Për këtë arsye, Zyra Kombëtare e Auditimit rekomandon që kryetari i Komunës të sigurojë se pozitat e rregullta të punës mbushen përmes procedurave të rregullta të rekrutimit, ndërsa për angazhimet me shërbime të veçanta dhe detyra specifike të zbatohen procedurat e prokurimit në përputhje me kërkesat ligjore.

Përveç kësaj, auditimi ka evidentuar edhe parregullsi të tjera në menaxhimin financiar të Komunës.
Një nga to lidhet me klasifikimin e gabuar të shpenzimeve, ku pagesa në vlerë prej 363 mijë e 721 euro, të ekzekutuara në bazë të vendimeve gjyqësore për paga jubilare dhe shujta, ishin regjistruar në kategori të gabuara buxhetore, duke ndikuar në paraqitjen e saktë të shpenzimeve në raportet financiare.
Po ashtu, auditorët kanë konstatuar se Komuna kishte vonuar pagesën e katër faturave në vlerë totale prej 161 mijë e 749 euro, të cilat nuk ishin shlyer brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, me vonesa që arrinin deri në 43 ditë. Sipas raportit, kjo praktikë mund ta ekspozojë komunën ndaj kostove shtesë nga interesat dhe gjobat.
Një tjetër gjetje lidhet me verifikimin e pronave për tatimin në pronë. Nga rreth 14 mijë e 500 objekte të evidentuara, Komuna kishte verifikuar vetëm 1 mijë e 294, ose rreth 9 për qind, ndonëse ligji kërkon verifikimin e së paku 20 për qind të objekteve çdo vit.
Auditimi ka evidentuar gjithashtu dobësi në menaxhimin e pasurive, pasi mbi 20 mijë njësi të pasurive jokapitale nuk ishin të regjistruara në sistemin elektronik të pasurive, si dhe mangësi në mbledhjen e të hyrave komunale, ku sipas auditorëve nuk ishin ndërmarrë masa të mjaftueshme për inkasimin e borxheve tatimore.
Raporti tregon se një pjesë e madhe e rekomandimeve të dhëna edhe në auditimin e vitit paraprak nuk janë zbatuar, përfshirë edhe rekomandimin për ndërprerjen e angazhimit të punëtorëve përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta në kundërshtim me ligjin.
