Profesor amerikan në universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka folur për dinamikën e zhvillimeve politike që lidhen mes Kosovës dhe Serbisë.
Serwer duke komentuar dinamikën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, tha se orientimi në tij do të duhej të ishte drejt çështjeve më praktike.
“Ka shumë çështje praktike që duhet të gjinden zgjidhje midis Kosovës dhe Serbisë. Besoj që dialogu teknik, ai që ishte para vitit 2013 ishte qartësisht shumë më i suksesshëm se sa dialogu politik që ka zënë vend që prej atëherë. Pra nuk besoj që duhet të kufizohemi tek çështjet teknike apo ekonomike, por që ka çështje të shumta praktike që edhe ato do të ishin teknike e ekonomike që do të mund të gjenin zgjidhje”, tha Serwer në RTK.
Sipas tij, është shumë e qartë që Serbia dhe Kosova nuk janë të interesuara për normalizimin e marrëdhënieve të dy shteteve.
“Mendoj që është krejt e qartë që as autoritetet e Serbisw e as autoritetet e Kosovës nuk janë të gatshme për normalizim të marrëdhënieve. Qëllimi i dialogut do të duhej të ishte një zgjidhje e përhershme ligjore mes Kosovës dhe Serbisë. Por që është e qartë se ende nuk jemi të gatshëm për një gjë të tillë”, tha Serwer.
Ndërkaq se sa do të ndikojnë zgjedhjet në Bashkimin Evropian në procesin e dialogut, ai theksoi se për emrat që do të vijnë në krye të BE-së është e vështirë të flitet aktualisht.
“Mendoj se Borrell nuk ka qenë aq i suksesshëm në dialogun Kosovë-Serbi. Gjithsesi që mirëpritet ndryshimi në BE, sidomos nëse ndryshimi bëhet me një njeri që është më i afërt me Kosovën”, theksoi ai.