Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, në një prononcim për medie ka thënë se në Kosovë me COVID-19 po infektohen edhe qytetarët e vaksinuar.
Por, ka shtuar se ky numër është më i vogël, në krahasim me personat që po infektohen e që nuk janë vaksinuar.
Sipas tij, janë gjithsej 39 persona që janë vaksinuar e që janë infektuar përsëri me COVID-19.
Prej tyre 27 janë me një dozë të vaksinës, e 12 edhe me dozën e dytë.
“Po kemi raste të tilla, ndonëse ky numër është shumë i vogël në krahasim me ata që janë të pavaksinuar, psh., nga data 1 korrik deri javën e kaluar kur kemi përpunuar të dhënat nga 466 pacientë kanë marrë trajtim spitalor gjatë kësaj periudhe kohore pjesa më e madhe e tyre ka qenë e pavaksinuar ndërkohë vetëm 39 kanë qenë ta vaksinuar, 27 me një dozë të vaksinës, 12 me dy doza të vaksinës por është vërejtur që të vaksinuarit kanë shprehur forma më të lehta të sëmundjes me ata që nuk kanë pasur vaksina”, ka treguar Krasniqi, për FrontOnline, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Ndryshe, vetëm sot në Kosovë nga COVID-19 kanë vdekur pesë persona, ndërsa janë regjistruar edhe 1 mijë e 765 raste të reja me Covid-19.
Kurse, janë shëruar vetëm 121 qytetarë.