Osmani njofton se janë evakuar dy kosovarë nga Kabuli

Osmani njofton se janë evakuar dy kosovarë nga Kabuli

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se dy shtetas të Kosovës, që gjendeshin në Kabul të Afganistanit, janë evakuar nga atje dhe së shpejti do të arrijnë në Kosovë.

Në njoftim thuhet se Ministria e Jashtme dhe e Diasporës kanë punuar që të sigurojnë evakuimin e sigurt të shtetasve të Kosovës.

“Për një kohë, Ministria e Jashtme dhe e Diasporës dhe zyra ime kanë punuar që të sigurojnë evakuim të sigurt të shtetasve të Kosovës nga Kabuli. Me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe shteteve evropiane, dy nga qytetarët tanë janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga vendi dhe së shpejti do të kthehen në shtëpi”, shkroi Osmani në rrjetin social Twitter.

Të hënën, më 16 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës njoftoi se ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me tre shtetas të Kosovës në Afganistan, të cilët kanë kërkuar ndihmë që të largohen nga Afganistani.

MPJD po ashtu ka vënë në dispozicion numrin kontaktues: +383 45 492 316, ku të gjithë qytetarët e Kosovës mund të thërrasin për të marrë udhëzimet dhe ndihmën e nevojshme.

Situata e sigurisë në Afganistan është përkeqësuar, që prej se talibanët më 15 gusht hynë në Kabul dhe më pas thanë se kanë nën kontroll territorin e Afganistanit.

Kosova po ashtu ka shprehur gatishmërinë që të strehojë afganë, që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Related Articles