Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Vonesën pesëjavëshe të shpalljes së rezultateve, kreu i KQZ-së Kreshnik Radoniqi e arsyetoi me detyrimet e shumta që i kanë dalë institucionit, pas ndryshimeve që janë bërë në Ligjin për Zgjedhje. Rezultatet zgjedhore e radhitën Vetëvendosjen parti të parë me 42.3 për qind, ndërsa lanë jashtë legjislaturës 40 deputetë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka shpallur të shtunën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën më 9 shkurt.
Nga këto rezultate Lëvizja Vetëvendosje ka dallë parti e parë për nga numri i votave, me 42.30 për qind, që ia garantojnë 48 ulëse në Kuvend.
Pas saj, është Partia Demokratike (PDK) me 20.95 për qind të votave apo 24 ulëse në Kuvend, Lidhja Demokratike (LDK) me 18.27 për qind apo 20 ulëse në Kuvend dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 07.06 për qind të votave që ia sigurojnë 8 ulëse në Kuvend.
Nga radhët e komunitetit serb, Lista Serbe ka fituar 9 mandate deputetësh, e të dhjetin e ka fituar ZSPO-ja e ministrit Nenad Rashiq.
Nga pakicat jo serbe, tri mandate i ka siguruar komuniteti boshnjak, dy ai egjiptian, dy komuniteti turk, dhe nga një komuniteti, rom, ashkali dhe goran.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dha disa arsye për vonesën 5-javëshe të shpalljes së rezultateve.
“Një nga arsyet ka të bëjë me zbatimin e ndryshimeve të shumta ligjore, të cilat kanë shtuar detyra për KQZ-në. Arsyeja tjetër ndërlidhet drejtpërdrejtë me platformën elektronike të rezultateve. Problemet me prezantimin e rezultateve preliminare për subjektet politike na kanë detyruar që të shtojmë kontrollin e aktiviteteve edhe në Qendra Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë”, ka thënë Radoniqi.
Por, për t’i shmangur këto vonesa dhe probleme potenciale në zgjedhjet komunale që do të mbahen pas disa muajve, Radoniqi tha se KQZ-ja do ta analizojë situatën dhe do t’i adresojë gjetjet në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.
“Do të analizojmë më shumë ndikimet e ndryshimeve ligjore në raport me aspektet organizative të procesit zgjedhor. Rrjedhimisht, si KQZ do të mund të nxjerrim ndonjë rekomandim për Kuvendin e ardhshëm të Kosovës për ndryshime ligjore”, u shpreh ai.
Me gjithë telashet që u dolën udhës, Radoniqi garantoi se në asnjë moment nuk është cenuar integriteti i votës dhe vullneti i votuesve.
Bazuar në rezultat, kandidatët më të votuar janë ata që ishin edhe kandidatë për kryeministër.
Albin Kurti ka marrë 337 mijë vota, duke u bërë kandidati më i votuar ndonjëherë.
Bedri Hamza ka siguruar 173 mijë vota, Lumir Abdixhiku 146 mijë e Ramush Haradinaj rreth 45 mijë.
Pas shpalljes së rezultateve, subjektet politike që janë të pakënaqura me to mund të parashtrojnë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), brenda 48 orëve nga shpallja e tyre. Ankesa vendoset nga PZAP brenda 96 orëve, nga parashtrimi i saj.
Hapi tjetër, pas shpalljes së rezultateve është certifikimi i tyre, me të cilin edhe nisin afatet zyrtare për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë.
Seanca konstituive e Kuvendit mbahet brenda 30 ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
E, mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes.
Sipas Kushtetutës, pas certifikimit të rezultateve, presidentja, në konsultim më partinë fituese të zgjedhjeve, ia propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër. Në këtë rast, kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, 15 ditë pas emërimit të presidentes ia paraqet Kuvendit për miratim, përbërjen e Qeverisë. Në rast se përbërja e Qeverisë nuk e merr shumicën apo 61 vota të deputetëve, presidentja brenda 10 ditësh e emëron kandidatin tjetër, sipas të njëjtës procedurë. Në Kushtetutë nuk përmendet nëse kandidati tjetër duhet të jetë nga e njëjta parti fituese apo nga partia e dytë që ka marrë më së shumti vota në zgjedhje. Por, një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese ia ka lënë në diskrecion presidentes që të emërojë kandidatin tjetër për kryeministër këdo nga partitë politike që kanë kaluar pragun zgjedhor. Po ashtu Kushtetuesja nuk e ka përjashtuar që presidentja të mund t’ia japë mundësinë partisë së parë që të propozojë kandidatin tjetër për kryeministër.
Kush i siguroi mandatet?
Përbërja e re e kuvendit do të ketë shumë emra të vjetër, por të numërt janë edhe kandidatët që për herë të parë do ta ushtrojnë funksionin e ligjvënësit.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, mandat deputeti kanë siguruar: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Faton Peci, Hekuran Murati, Albulena Haxhiu, Xhelal Svecla, Donika Gërvalla Schëarz, Avni Dehari, Mimoza Kusari Lila, Arben Vitia, Ejup Maqedonci, Shqipe Mehmeti Selimi, Saranda Bogujevci, Edona Llalloshi, Mefail Bajqinovci, Hajrullah Ceku, Armend Muja, Jeta Statovci, Haxhi Avdyli, Albena Reshitaj, Artane Rizvanolli, Nezir Kraki, Adelina Grainca, Arbreshë Kryeziu, Arbër Rexhaj, Dimal Basha, Valon Hoti, Arbërie Nagavci, Liza Gashi, Valon Ramadani, Fjolla Ujkani, Labinotë Demi Murtezi, Halil Thaci, Agim Bahtiri, Fitore Pacolli Dalipi, Artan Abrashi, Salih Zyba, Drita Pajaziti, Adriana Matoshi, Fitim Haziri, Driton Hyseni, Bylbyl Sokoli, Bajram Mavriqi, Arjeta Fejza, Ilir Kërçeli, Fatmire Kollcaku, Arijeta Rexhepi dhe Rozeta Hajdari.
Në PDK, mandatet e deputetëve i morën: Bedri Hamza, Memli Krasniqi, Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Sala Jashari, Enver Hoxhaj, Përparim Gruda, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Jakup Nura, Rrahman Rama, Artan Behrami, Mërgim Lushtaku, Elmi Reçica, Ferat Shala, Blerta Deliu Kodra, Fadil Demaku, Altin Krasniqi, Xhevahir Geci, Abelard Tahiri, Ariana Musliu Shoshi, Eliza Hoxha, Arbnore Salihu dhe Kosovare Murseli.
Në LDK deputetë u bënë: Lumir Abdixhiku, Doarsa Kica Xhelili, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Anton Quni, Lutfi Haziri, Jehona Lushaku Sadriu, Gazmend Muhaxheri, Armend Zemaj, Hysen Cekaj, Imri Ahmeti, Fadil Hadërgjonaj, Besian Mustafa, Marigona Geci, Ekrem Hyseni, Krenar Xhaferi, Alban Zogaj, Serbeze Muçaj dhe Arjeta Abazi.
E AAK-ja bashkë me Nismën do t’i kenë këta përfaqësues në Kuvend: Ramush Haradinaj, Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj, Arbreshë Krasniqi, Xhevahire Izmaku.
Jashtë, 40 deputetë të legjislaturës së kaluar
Me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të shkurtit, 40 deputetë të legjislaturës së kaluar, pa përfshirë pakicat, do të mbesin jashtë Kuvendit.
Në LVV nuk janë rizgjedhur 18 deputetë: Adnan Rrustemi, Gani Krasniqi, Gramos Agusholli, Agon Batusha, Ardian Gola, Luan Aliu, Alban Bajrami, Nijazi Isaku, Vendenis Lahu, Nasuf Bejta, Shqipe Isufi, Enver Dugolli, Mirsad Shkreta, Mirlinda Tishukaj, Milazim Salihaj, Enver Haliti, Hidajet Hyseni dhe Jetmire Vrenezi.
Në PDK nuk arritën të rifitojnë mandate 8 deputetë: Rashit Qalaj, Bekim Haxhiu, Hajdar Beqa, Xhavit Haliti, Floretë Zejnullahu, Hisen Berisha, Isak Shabani dhe Ardian Kastrati.
E, jashtë Kuvendit do të jenë edhe 6 deputetët e LDK-së: Shefi i grupit parlamentar Arben Gashi, si dhe deputetët Driton Selmanaj, Valentina Bunjaku, Vlora Dumoshi, Rrezarta Krasniqi e Drita Millaku.
As në AAK nuk i morën sërish mandatet 5 deputetë, kryetari i grupit parlamentar Besnik Tahiri, si dhe kolegët e tij Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj, Albana Bytyqi. Nga kjo listë nuk siguroi mandat as Haki Abazi, që iu bashkua AAK-së.
Ndërkaq mandatet i kanë humbur edhe tre deputetët që nuk e kaluan pragun zgjedhor me koalicionin për Familjen, Eman Rrahmani, Visar Korenica e Behgjet Pacolli.
E në legjislaturën e re, 31 deputetë do të marrin mandate për herë të parë.