Osmani synon ndërtimin e objektit presidencial me suitë gjumi, dhomë familjare e oborr privat

Osmani synon ndërtimin e objektit presidencial me suitë gjumi, dhomë familjare e oborr privat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, synon të ketë një objekt të ri për Presidencën, në të cilin, ndër tjerash, do të përfshihet edhe një rezidencë presidenciale.

Kjo rezidencë është vetëm njëra nga disa prej hapësirave që planifikohen të përfshihen në ndërtesën e re, për të cilën tashmë është mbyllur tenderi për studimin e fizibilitetit.

Suitë të gjumit për presidentin, dhomë private për familjen, dhomë private për ushqim, kopsht e oborr privat e pesë dhoma për mysafirë, janë vetëm disa nga hapësirat që priti t`i ketë rezidenca e Presidencës së Kosovës.

Pos tyre, objekti ku do të zhvendoset Presidenca planifikohet të përmbajë edhe hapësira të tjera, si: kompleksin për kuzhinën presidenciale, dhoma për larje të rrobave, salla të ballove, bibliotekë presidenciale, dhoma për takim e zyra për stafin e Presidencës.

“Ofrim i idesë fillestare për dukjen e objektit të Presidencës, që përfshijnë:  A. Krahu ceremonial: salla e madhe e pritjeve / salla e ballove; holli ceremonial / foaerja e madhe; dhoma e kredencialeve; dhoma tête-à-tête (takime dypalëshe); salla për media / dhoma për deklarata për media; biblioteka presidenciale”, thuhet në dosjen e tenderit.

Këto specifika janë vetëm në mesin e disa sosh që janë kërkuar të përfshihen në studimin e fizibilitetit, tenderi për të cilin është mbyllur të enjten.

Sipas planit, i gjithë objekti planifikohet të përfshijë nëntë zona funksionale.

“Strukturimi i zonave funksionale, që parashihen të përfshihen: Hapësira e punës së presidentit/es; Hapësira për ceremonial (salla e pritjes, dhoma e kredencialeve, salla për media, etj.).; Hapësira të punës për stafin e kabinetit dhe administratës; Hapësira rezidenciale; Hapësirat të dedikuara për siguri, logjistikë, transport, protokoll dhe teknologji; Hapësira për mikpritje diplomatike, punë në distancë dhe multifunksionalitet; Hapësira për stafin mbështetës, administrativ dhe operativ; Hapësira të veçanta të punës që ndërlidhen me mbrojtje, siguri dhe aspekte të tjera; Hapësira për rekreacion, sport dhe kulturë”, thuhet tutje në dosjen e tenderit.

Sipas njoftimit në dosjen e tenderit, për këtë studim janë planifikuar të shpenzohen 25 mijë euro, derisa objekti planifikohet të ndërtohet në lagjen “Prishtina e Re”.

Nga operatorët e interesuar ekonomikë është kërkuar që të bëhet një analizë e lokacionit, propozim për shfrytëzim racional të hapësirës, duke përfshirë edhe zona të gjelbra e shtigje për ecje.

E opsionale është vendosur të jetë edhe një hapësirë multifunksionale, e cila do të përmbante dhoma për diasporën, dhoma për rini e kënd për fëmijë.

Për hartimin e këtij projekti, studimin e fizibilitetit të tij, kanë aplikuar tre operatorë ekonomikë.

Që të tri ofertat janë më të ulëta sesa shuma prej 25 mijë eurosh, që është planifikuar nga Zyra e presidentit të Kosovës.

Oferta me çmimin më të ulët është ajo prej 16 mijë e 697 eurosh derisa më e larta e ofertuar është 19 mijë e 900 euro.

Në lidhje me planet për ndërtimin e objektit të ri e kërkesat për të, përgjigje nuk kanë kthyer nga Zyra e presidentes së Kosovës. Përgjigje kanë munguar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme e ajo e Administratës Publike.

Presidenca e Kosovës, fillimisht ka qenë e planifikuar që të zhvendoset në objektin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit në qendër të Prishtinës, pesë vjet më parë.

Por presidentja aktuale, Vjosa Osmani, me t’u zgjedhur në krye të shtetit pati njoftuar Ministrinë e Kulturës se nuk synon të vazhdojë planet për zhvendosjen në këtë objekt dhe që nga ajo kohë pati paralajmëruar se do të shqyrtojë të zhvendoset “në hapësirë më të përshtatshme dhe me të gjerë pune”.

Related Articles