45 profesionistëve shëndetësorë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë nuk iu është vazhduar kontrata e punës. Prej tyre 12 mjekë dhe 17 infermierë, ndërsa pjesa tjetër ka qenë staf mbështetës.
Këta punëtorë shëndetësorë kanë qenë të angazhuar me një marrëveshje në mes të Komunës së Fushë Kosovës dhe Caritas Kosova, e kontrata e punës së tyre ka përfunduar më 28 shkurt, ndërsa Komuna e Fushë Kosovës nuk ka arritur ende të finalizojë kontratë të re me operatorët ekonomikë pasi tenderi ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, i cili është jashtë funksionit.
Ndërsa, drejtuesit e QKMF në Fushë-Kosovë thonë se pa këtë staf që tashmë kanë mbetur të pa punë vështirë e kanë funksionimin, dhe nëse vazhdon kjo gjendje do të detyrohen të reduktojnë shërbimet mjekësore nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Shefi i Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë, Remzi Shala u shpreh për KosovaPress se largimi nga puna i këtyre mjekëve dhe infermierëve u ka shkaktuar mjaft telashe.
Shala u shpreh se aktualisht kanë reduktuar stafin mjekësor në QMF nëpër fshatrat ku ka më pak pacientë.
“Jemi organizuar që me stafin ekzistues të ofrojmë shërbime shëndetësore për banorët e Fushë Kosovës derisa të gjendet një zgjidhje e përkohshme ose e përhershme, vështirësi kemi shumë, për momentin jemi të angazhuar 100% të stafit me disa qendra si ajo numër 1 e kemi reduktuar nga dy mjekë, i kemi bërë nga një, atje përsëri pacientët janë njëjtë. Nëpër fshatra në Miradi të Ulët i kemi reduktuar dhe në Vragoli jemi munduar t’i organizojmë për t’i mbajtur qendrat që janë numër më të madh si dhe QKMF, ndërrimin e natës e kemi lënë të njëjtë, por kapacitet nuk kemi sepse tani 100% jemi të angazhuar”.
Shefi i Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë shprehet se si pasojë e mosvazhdimit të kontratës të këtyre 45 profesionistëve shëndetësorë janë ndërprerë edhe pushimet, por edhe trajnimet.
“Është shumë vështirë duke marr parasysh se tash janë edhe obligimet për pushime mjekësore, shëndetësore, trajnime të ndryshme, të gjitha janë ndërprerë por ato duhet të funksionojnë me këta punëtorë dhe me këtë staf që për momentin e kemi ne nuk mund të zgjasim shumë… Edhe mjekët edhe motrat edhe 45 punëtorët staf shëndetësor që kanë qenë të angazhuar në të gjitha edhe në QKMF, QMF edhe në ambulantë varësisht ku është ndjerë nevoja. Këta kanë kryer një shërbim jashtëzakonisht të mirë për kujdesin shtëpiak, vizita shtëpiake, për çka është i destinuar ky projekt, për momentin është duke funksionuar por me vështirë të mëdha, por tani e kemi vetëm 1 mjek i cili është, edhe për raste urgjente, edhe për raste në terren, edhe për kujdes paliativ të cilin e kemi kryer përmes projektit Caritas”.
Sipas mjekut Remzi Shala aktualisht po arrijnë të ofrojnë shërbime edhe falë mjekëve që janë të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë në emër të pandemisë COVID-19.
Shala thekson se nëse edhe këtyre nuk u vazhdohet kontrata e punës, e cila iu skadon në qershor, nuk do të arrijnë të funksionojnë.
“Falë disa mjekëve dhe motrave të cilët i kemi prej ministrisë (së Shëndetësisë) janë aktualisht 9 mjekë dhe motra medicianale 13 apo 14 edhe ata janë duke na ndihmuar në procesin e rregullt të ofrimit të shërbimeve shëndetësore por edhe procesi i vaksinimit është duke vazhduar normalisht, por edhe këta punëtorë i kanë disa kontrata të cilat vazhdojnë deri në qershor. Nuk e di nëse edhe këtyre u ndërpritet, ne nuk mund të ekzistojmë, duhet me i mbyll ose Qendrat e Mjekësisë Familjare në terren ose të reduktojmë kujdesin shëndetësor gjatë natës”, deklaroi shefi i Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë.
Nënkryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Fadil Krasniqi, thotë se punëtorët shëndetësorë kanë mbetur pa punë pasi nuk kanë arritur të finalizojnë kontratën, pasi njëri nga operatorët ekonomikë është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Por, ai shpreson, se ky tender do të zhbllokohet brenda 1 muaji e gjysmë.
“Është e vërtetë që një pjesë e punëtorëve të shëndetësisë por edhe të pastrimit por edhe në fusha të tjera kanë mbetur pa punë për shkak se nuk kemi mund të arrijmë ta finalizojmë kontratën me operatorin ekonomik i cili ka qenë edhe më herët si kontraktues me komunën e Fushë-Kosovës Caritas-in. Arsyeja është shumë e thjesht sepse ne kemi shpallur tender, kanë konkurruar operatorë të tjerë ekonomikë që janë bashkë me Caritas dhe njëri prej tyre është ankuar në momentin kur është dashur t’i hapim ofertat dhe t’i shikojmë se cili është më i favorshëm për nënshkrim të kontratës dhe për këtë arsye operatori ekonomik ka bërë ankesë edhe në OSHP dhe realisht jemi duke pritur procedurat se kur do të përfundojnë”.
Krasniqi ka kërkuar nga qeveria që sa më parë të emërojë anëtarët e bordit të OSHP-së me qëllim që ta tejkalojnë këtë sfidë.
“Është një fat i mirë që në kuadër të QKMF-së e kemi edhe një numër të caktuar që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë e cila në një mënyrë e ka lehtësuar punën dhe ata do të jenë edhe 1 muaj e gjysmë këtu, por ne shpresojmë që brenda 1 muaji e gjysmë të zhbllokohet puna e ankesës në OSHP, sepse me këtë punë duhet të merret Qeveria e Kosovës sepse është detyrë e saj dhe organ i saj dhe duhet ta bëjë zgjedhjen e anëtarëve të bordit dhe të shqyrtojë kërkesa sepse është e patolerueshme kjo punë nëse qeveria nuk merr hapa të domosdoshëm që ta tejkalojmë këtë sfidë”.
Lidhur me largimin nga puna të këtyre mjekëve dhe infermierëve të cilët kanë shërbyer në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë kanë folur edhe nga Caristas Kosova.
Koordinator i projektit “Caritas Kosova”, Pal Baftijaj, u shpreh se kontratat e punës dyvjeçare për këta 45 punëtorë shëndetësorë kanë përfunduar më 28 shkurt, dhe në pamundësi të një kontrate të re me Komunën e Fushë Kosovës është dashur të ndërpriten edhe këto shërbime.
“Po, është e vërtet se një numër i konsiderueshëm i stafit shëndetësor kanë qenë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në Komunën e Fushë Kosovës gjatë kësaj periudhe kohore dyvjeçare për aq kohë sa kishte kontratë Komuna e Fushë Kosovës me Caritas Kosova, por faktikisht kontrata që kemi pasur me Komunën e Fushë Kosovës ka përfunduar me 28 shkurt dhe ende nuk ka një kontratë të re për të njëjtat shërbime, dhe ne si Caritas nuk mund të ofrojmë shërbime pa një kontratë me Komunën e Fushë Kosovës”.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se marrëveshja në fjalë ka qenë në mes të komunës dhe Caritas-it dhe ata nuk janë të përfshirë në këtë projekt.
“Marrëveshjet për bashkëfinancim midis disa komunave dhe Caritas-it kanë qenë marrëveshje bilaterale ku palët i kanë obligimet ndaj njëra-tjetrës. MSh nuk është pjesë e këtyre marrëveshjeve, ndërsa nëse komunat dhe Caritas gjejnë ndonjë zgjidhje për ta vazhduar bashkëpunimin, MSh nuk ka arsye për t’i penguar, përkundrazi do t’i përkrah. Përtej marrëveshjeve që kanë me palë të tjera, MSh ka ndihmuar komunat gjatë kohës së pandemisë COVID-19 për të rekrutuar staf shtesë për shërbime shëndetësore në Kujdesin Parësor, sikurse edhe për procesin e vaksinimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.