500 mijë doza të tjera të vaksinave Pfizer do të vijnë në Shqipëri deri në fund të dhjetorit ka thënë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
“Qeveria ka marrë masat që të vijojë që të kemi furnizim në vazhdim me vaksina. Jemi duke negociuar gjithashtu me Pfizer për 500 mijë doza të tjera të vaksinave Pfizer, të cilat do të jenë pjesë e programit tonë të vaksinimit deri për muajin dhjetor”, tha ministrja.
Disa ditë më parë, Administrata Federale Amerikane e Ushqimit dhe Barnave miratoi plotësisht vaksinat kundër COVID19, të prodhuara nga kompania Pfizer-BioNTech.
Teksa po ndiqte procesin e vaksinimit në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, ku po kryhet vaksinimi anticovid, Manastirliu u shpreh se fokusi është te vaksinimi i çdo qytetari +18 vjeç.
Sipas saj, “çdo i pa vaksinuar përbën një kosto për jetën dhe shëndetin e vetes, por edhe të shoqërisë, ndaj procesi i vaksinimit është shumë i rëndësishëm”.
Duke bërë apel për vaksinimin, prof. Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, tha se ka akoma mësues të pa vaksinuar, ndërkohë që tha se krahas fushatës së hapur të vaksinimit u është rekomanduar mjekëve të familjes që të mos largojnë vëmendjen nga grupet në risk.
“Ka akoma sidomos në mjedisin e mësuesve që janë dhe grupe kritike dhe grupe risku, për të cilat duhet të shtojmë mundësinë e vaksinimit. Personeli shëndetësor ka një mbulesë më të lartë vaksinale në krahasim me të tjerët. Mbulesë të mirë vaksinale kanë punonjësit e policisë”, tha Bino.
Deri tani kanë mbërritur 1.899.172 vaksina. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1.427.977 doza të vaksinës ndaj COVID 19.