Të hënën më 20 shtator ka vazhduar gjykimi në Hagë i ish-pjesëtarit të UÇK-së Salih Mustafës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ashtu siç ishte bërë e ditur në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, trupi gjykues ka dëgjuar dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 25 shtator 2021.
Në fillim të seancës së parë gjyqësore kundër ish pjestarit të UÇK-së, Salih Mustafa, ky i funidt kishte kërkuar të fliste mirëpo gjykatësja nuk ia dha fjalën.
“E nderuara gjykatëse, kisha pasë dëshirë të flas diçka para se t’i dëgjoni dëshmitarët”, kishte thënë Mustafa.
Por gjykatësja kishte thënë se këtë do të mund ta bëjë në një moment tjetër.
Dëshmitari i parë ka rrëfyer momentin kur është kidnapuar nga dy persona, të prezantuar si pjesëtarë të UÇK-së, dhe është dërguar për në Zllash.
Ai i ka thënë Prokurorisë se i është vendosur një thes i zi në kokë dhe është sulmuar.
“Njëri më dha një çokollatë, unë nuk doja, por insistonin, dhe kur e mora, e futa në gojë, më goditi boks në gojë, m’i theu dhëmbët. Aty më kanë futur një thes të zi në kokë, nuk kam pasur mundësi t’i shoh nëse ishin të armatosur. Më futën në një veturë, nuk i njihja asnjërin”, ka thënë ai, duke iu fshehur identiteti.
Dëshmitari ka thënë se është rrahur nga disa persona në një stallë, por se nuk e di sa ishin.
“Kam qenë i varfër, kam shitur dru me një kali, s’kam pasur çare pa folur me serbë, është dashur të punoj. Më kanë kërcënuar që po bashkëpunoj me ta. Më kanë rrahur disa herë, më kanë hedhur ujë, më kanë çuar në stallë, nuk kam ditur asgjë. Nesër kanë ardhur në mëngjes”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, pas një pauze, trupi gjykues dhe të pranishmit ishin kthyer në sallë.
Avokati i Salih Mustafës Julius Von Bone, kishte kërkuar për klientin e tij një dhomë ku lejohet konsumimi i duhanit, pasi sipas tij, Mustafa, e konsumon shumë.
Ndërkohë Mustafa në pjesën e tretë të seancës kishte hequr dorë nga pjesëmarrja në seancë.
Këtë e kishte bërë të ditur avokati i tij i cili kishte thënë se Mustafa nuk dëshiron të jetë pjesë e seancës, ku po dëgjohej dëshmia e dëshmitarit të parë.
Kurse mbrojtja e viktimave, Anni Pues kishte cekur se në këtë seancë nuk është e domosdoshëm prania e Mustafës.
Ndërsa, prokurori Cezary Michalczuk deklaroi se mund të bëhet praktikë e rregullt mungesa e të akuzuarve në sallë, andaj, sipas tij, duhet të qartësohet me procesverbal nëse Mustafa nuk do të marrë pjesë në seancë.
Dëshmitari i parë në këtë rast, i cili në vitin 2006 kishte dhënë deklaratë edhe për UNMIK-un, në Hagë ka deklaruar se Mustafa me bashkëpunëtorë i kanë keqtrajtuar dhe kequshqyer në Zllash të Prishtinës.
Ndërsa ka shtuar se ishin dy persona të cilët i shoqëronin për të dalë jashtë ndërtesës për të kryer nevojat për të cilët tha se nuk e di kush kanë qenë ata.
Dëshmitari ka thënë se familja e tij ishte në dijeni për vendndodhjen e tij.
“E kanë parë kur më kanë marrë atë ditë, të parën ditë që më kanë marrë ata dy personat”, ka thënë dëshmitari.
Prokurori ka pyetur dëshmitarin se si është larguar nga ai vend dhe si ka marrë fund ndalimi në Zllash.
“Kanë ardhur dhe na kanë çel dyert, na kanë thënë kah doni shkoni. Jemi dalë prej Zllashit në drejtim për Prishtinë, atëherë ka pasur shumë refugjatë, shumë njerëz, kemi arrit në atë kolonën dhe kemi shkuar për Prishtinë”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, të gjithë që ishin në ndalim ishin thirrur me emra për të dalë nga ndërtesa.
Por, deklaratat e dëshmitarit kanë ndryshuar që nga koha kur kishte dëshmuar për herë të parë, andaj kjo ka bërë edhe gjykatësen t’i bëjë disa pyetje.
“Në vitin 2006 ju keni deklaruar se nuk e njihni personin që ju ka rrahur, tash po thoni se e njihni. A mund të ma shpjegoni këtë?”, i ka thënë gjykatësja-dëshmitarit të mbrojtur.
Dëshmitari në anën tjetër ka thënë se ndoshta nuk i është kujtuar, ndërkohë gjykatësja ka vazhduar me pyetjet rreth kësaj çështje.
“Por ju e keni parasysh se janë deklarata të ndryshme, andaj po ju pyesim që ta qartësojmë. Cila është arsyeja që nuk e keni përmendur në atë kohë personin që ju ka rrahur. A ka mundësi të jetë frika arsye?”, ka thënë gjykatësja.
Dëshmitari ka mohuar që nuk e ka përmendur emrin e personit që e ka rrahur shkaku i frikës, por ka thënë se ndoshta vetëm ka harruar.
Vlenë të theksohet se dëshmitari i parë i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Salih Mustafës, Ë03593 e ka përfunduar dëshminë e tij të enjten, i njëjti kishte dëshmuar për katër ditë më radhë në Dhomat e Specializuara.
Dëshmitari i dytë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës ka thënë se nuk ka njohuri nëse ndonjë person është mbajtur i ndaluar në kompleksin në Zllashë.
Ai derisa i është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Mustafës, ka thënë se nuk ka dëgjuar ndonjëherë për diçka të tillë.
Ndër të tjera, dëshmitari ka thënë se BIA nuk kishte ndonjë bazë tjetër përveç asaj në Zllashë dhe ka shtuar që nuk i ka takuar ata në ndonjë tjetër vend.
“Nuk di asgjë më shumë se veç ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka qenë njësitë i ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por u thirr me BIA, por faktikisht ne më shumë i kemi thënë Skifterët”, ka thënë dëshmitari kur është pyetur se çka di rreth BIA-s.
Ai ka shtuar shtabi i përgjithshëm i Brigadës 153 ka qenë në shkollën e Zllashit.
Dëshmitari i dytë i mbrojtur në rastin e Salih Mustafës, është marrë në pyetje në seancë të mbyllur nga mbrojtësja e viktimave derisa edhe në pyetjet e avokatit mbrojtës seanca ka qëndruar e mbyllur në të shumtën e kohës.
Dëshmitari Ë04600 është përgjigjur edhe në pyetjet e prokurorit, në pjesën e parë të seancës, të cilit i ka thënë se komandant Cali ka bartur një kapele të kuqe dhe ka qenë në uniformë të UCK-së në të shumtën e kohës.
Në këtë seancë të cilën Salih Mustafa e ka përcjell përmes video-lidhjes, dëshmitari ka thënë se nuk ka njohuri se kush ka qenë eprori i drejtpërdrejtë i komandant Calit por ka shtuar se ai ka pasur një zëvendës të njohur si “Dardani”.
Dëshmitari i dytë do të paraqitet edhe të hënën para trupit gjykues.
Ndryshe, aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.
Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.
Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.