Avokatët e ish-krerëve të UÇK kërkojnë shkurtim të kohës

Avokatët e ish-krerëve të UÇK kërkojnë shkurtim të kohës
Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot ka shprehur shqetësimin lidhur me kohëzgjatjen e prokurorisë, e cila ka paraparë 700 orë për çështjen e saj. Në konferencën përgatitore për prokurorinë, që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatët kanë kërkuar nga turpi gjykues që të përdorë diskrecionin që ka dhe të shkurtojë këtë kohë.

Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe ka thënë se kanë me mijëra faqe dëshmish, duke shtuar se prokuroria synon të përfshijë të gjithë informacionin që ka, edhe atë që një person mund ta ketë mësuar nga palët e treta.

“Duam ta mbarojmë, kemi të gjithë të njëjtin shqetësim, të mos zgjatet pa fund. Besoj gjykatës ju e kuptoni sa vështirë është për ne që të marrësh mijëra faqe, të na i hedhësh ne që t’i shohim të gjitha me kujdes dhe të gjejmë se çfarë është ajo që prokuroria do të paraqes si çështje nga ana e saj. Puna është kjo, ata duhet t’i marrin të gjitha dëshmitë e betuara, t’i vendosin në dokumentacion dhe kur të vijë të dosja paragjyqësore marrim në fakt aty, një fakt këtu, dhe ju nuk keni pse të ankoheni do të na thonë ne prokuroria. Si përkthehet kjo në shqetësimet e përditshme dhe në çështjen e kohës që na duhet për t’i bërë pyetjet e kundër pyetjet tona. Ne nuk kemi kohën e duhur për të cilën bëhet fjalë. Është një shqetësim serioz për ne duke pasur parasysh që formulimi i kësaj çështje nga ZPS lidhur me mënyrën se si i mbrojmë ne të drejtat e klientëve duke pasur kaq shumë informacion që nuk është theksuar, që nuk është vënë në dukje se çfarë duhet përqendruar në pyetjet tona”, ka thënë Kehoe.

Sipas tij, derisa flitet për 700 orë për prokurorinë, kjo çështje del të jetë më e madhe se ajo e Ratko Mladiqit, ku prokuroria ka pasur 200 orë për çështjen e saj.

“Ne po flasim për një çështje që është dy herë e gjysmë më e madhe ajo e Ratko Mlladiq apo Karaxhiq. Ajo që kemi ne këtu është në fakt çdo ngjarje, të cilën ZPS e ka përfshirë në këtë aktakuzë dhe po i thotë gjykatës se objekti nuk është zgjidhur nga ZPS por nga të akuzuarit. Pra, ajo që është në akuzë apo nuk është në akuzë është vetëm punë e ZPS-së. Sigurisht nuk është trajtuar aq konkretisht sa duhet por ju e dini vendimin në çështjen e Haradinajt ku mori vendim për përgjegjësinë komanduese ku autori u gjetë fajtor, kurse komandanti nuk u deklarua fajtor. Tani duhet ta trajtojmë këtë gjatë pyetjes së 12 dëshmitarëve, duhet ta shqyrtojmë të njëjtin skenar lidhur me përgjegjësinë komanduese, ndihmën dhe inkurajimin apo teorinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale për tu përpjekur që vajin tua vëmë këtyre katër të akuzuarve pasi është marrë vendim nga gjykata e shkallës së parë dhe apelit që komandanti nuk është shpallur fajtor. Prokuroria po e bën përsëri të njëjtën gjë”, ka shtuar ai.

Lidhur me këtë, Kehoe ka kërkuar që turpi gjykues të përdorë diskrecionin që ka dhe të shkurtojë këtë kohë.

“Kjo do ta zgjasë këtë çështje në mënyrë të konsiderueshme. Për fat te keq ne duhet të jemi ata që duhet t’i tërheqim vëmendjen gjykatës çdo ditë. A ka hapësirë këtu që ju të ushtroni të drejtën tuaj për të vendosur për t’i thënë ZPS-së që koha për ta përfunduar këtë në fund të 2024-ës apo në 2025 është shumë kohë dhe ta shkurtoni këtë kohë, unë besoj që ju e keni këtë diskrecion dhe të drejtën për ta bërë”, ka thënë ai.

Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson.

“Kemi për detyrë të sigurohemi që nëse ata e bëjnë punën në mënyrë kaotike nuk do të mbrojë të drejtat e të akuzuarve, dhe do të kërcënojë drejtësinë e gjykimit, sepse do të jetë një gjykim i gjatë gjë që në të vërtetë në vetvete është në dëm të të akuzuarve, të cilët kanë dy vjet që rrinë në burg përpara se të fillojë gjykimi i tyre. Kështu që një nga gjërat që mund të bëni ju si trup gjykues mund ta keni parasysh, të përdorni pra diskrecionin tuaj për këtë gjë, sepse vet zgjatja është armike e drejtësisë, armik i të drejtave të akuzuarve të mos mbahen të paraburgosur apo t’i nënshtrohen një përndjekje penale që është në mënyrë të paarsyeshme e gjatë”, ka thënë Emmerson.

Për të drejtat e të akuzuarve ka folur edhe mbrojtja e Rexhep Selimit për çka ka theksuar se ata kanë të drejtë në mundësinë që çështja e tyre të gjykohet brenda një kohe të arsyeshme.

“Të akuzuarit kanë të drejtat e tyre të cilat duhet të respektohen dhe këtu i referohem posaçërisht neni 21 4 a sa i takon të drejtës për tu informuar në mënyrë të hollësishëm në një gjuhë të cilën ata e kuptojnë dhe sa i takon kohëzgjatjes së çështjes së prokurorisë. Një tjetër e drejtë është të kenë mundësinë që çështja kundër tyre të gjykohet brenda një kohe të arsyeshme si dhe të kenë mundësi të marrin në pyetje dëshmitë e dhëna kundër tyre. Mendoj që kjo është pika kryesore që do të duhej të merret parasysh nga ju”, ka thënë avokati Roberts.

Kohëzgjatja e përgjithshme e çështjes së ZPS-së duhet të lidhet me argumentin që të akuzuarit kanë qenë në paraburgim për më shumë se dy vjet tashmë, ka thënë avokati i Jakup Krasniqit, Aydan Elis.

“Kohë zgjatja e përgjithshme e çështjes së ZPS duhet të lidhet në veçanti me argumentin që klientët tanë, klienti im posaçërisht ka qenë në paraburgim për më tepër sesa 2 vjet tashmë dhe nëse ne dëgjojmë prokurorinë që thotë që çështja do të vazhdojë deri në 2025 dhe pastaj keni parasysh që na duhet edhe çështja e kohës për pyetjet nga mbrojtja apo argumentet e ndryshme që mund të kërkoni ju të nderuar gjykatës kështu që mund të mendohet nga të gjithë që do të duhet një kohë e konsiderueshme që të akuzuarit të qëndrojnë në paraburgim derisa të përfundojë çështja në fjalë”, ka thënë ai.

Në konferencën përgatitore për prokurorinë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë.

Aty, ZPS ka deklaruar se nuk ka ndërmend të zvogëlojë akuzat në këtë moment kohor, derisa ka shtuar se synon të paraqes prova lidhur me çdo vend të pretenduar krimi.

Ndërsa, turpi gjykues edhe njëherë ka shprehur shqetësimin lidhur me kohën që ka kërkuar prokuroria për çështjen e saj dhe që arrin deri në 700 orë.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të fillojë më 1 mars në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetisht.

Related Articles