Klinika e Pediatrisë është e stërmbushur me fëmijë që po kërkojnë trajtim.
E, për shkak të kapaciteteve të kufizuara, disa prej fëmijëve janë detyruar që të shtrihen së bashku në të njëjtin shtrat.
Numri i të hospitalizuarve është 150 fëmijë.
Kështu tha drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajçevci në një prononcim për Front Online.
“Klinika është e mbushur plotë, ka vende-vende që janë edhe me nga dy fëmijë në një shtrat për shkak që fluksi është më i madh këto ditë për shkak të problemeve zakonisht që janë në kohën e dimrit. Numri i fëmijëve të hospitalizuar me të gjitha simptomologjitë në pediatri është 140 deri 150, dmth janë të mbushura gati të gjitha vendet në pediatri”, tha Grajçevci për Front Online.
Të hospitalizuarit janë me sëmundje të ndryshme.
Por ka edhe prej atyre të cilët janë testuar dhe kanë dalë pozitiv me grip sezonal.
“Numri që mundem me thënë brenda një jave, i kësaj jave dmth i të hospitalizuarve që kanë dalë pozitiv me influencer, diku është mundem me thënë për një ditë i kem pas 9, një ditë prej 12 kanë dalë 7 pozitiv, prej atyre që veç kemi dyshu se jo të gjithë i kemi testu dhe prej atyre të testuarve mundem me thënë që prej 15 kanë dalë 9”, tha deklaroi ajo.
Numër i madh i pacientëve është vërejtur edhe në QKMF-të e Prishtinës, të cilët kryesisht kanë qenë me simptoma të gripit sezonal.
Se gripi sezonal më shumë po i prek fëmijët e të rinjtë, e thotë edhe Drita Peqani, doktoreshë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
“Mosha më e prekur nga ky grip sezonal janë moshat shkollore, sidomos fëmijët e shkollës fillore, shkollës mesme, studentët, me siguri për shkak të frekuentimit të madh të nxënësve në një klasë, kështu kryesisht i ka ataku moshat më të reja”, thekson ajo, për Frontonline, përcjellë Gazeta “Enigma”.
Për ta parandaluar këtë grip, Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë rreth 140 mijë vaksina, prej tyre janë administruar mbi 50 mijë./Gazeta “Enigma”/