Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka konfirmuar për shqiptarët në “Open” se është ende kryetar i PD-së, pavarësisht vendimit të marrë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Berisha në 11 dhjetor, i cili e shkarkoi.
“Unë jam kryetari i PD i zgjedhur me 1 anëtar një votë. Jam kryetar i opozitës, kam një betejë të rëndësishme për të udhëhequr me demokratët dhe për demokratët. Nuk ka patur Kuvend në 11 dhjetor, ka patur një tubim që mund ta thërriste kushdo, mund ta thërriste edhe Tom Doshi, Ilir Meta, Edi Rama, Vangjush Dako”, tha Basha.
Sa i përket vendimit të marrë nga ai për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, Basha tha se pasi ka marrë këtë vendim ndihet më i çliruar se në çdo moment tjetër gjatë 16 viteve të karrierës së tij politike.
“Vendimi për përjashtimin e Berishës nga grupi i PD-së nuk është personal, por i kryetarit të PD-së. Me statutin e PD kryetarit i kërkohet të marrë vendime të tilla dhe mosmarja e një vendimi të tillë e ngarkon me përgjegjësi dhe atëherë do ishte shkelur statuti. Ne nuk jemi pakicë sepse vendos se me çfarë metri e mat.
Shumica e demokratëve duan largimin e regjimit të Ramës. Unë ndihem i përligjur në vendimin që kam marrë, por ndihem më me shpresë në 16 vite karrierë në politikë. Unë ndjehem i çliruar nga barra e të kaluarës. Në momentin më kyç që 11 dhjetor, kolegët tuaj korespondentë nuk i lejoi të futeshin”, tha Basha./Gazeta Enigma/