“Figo, mercenar” – Ish-ylli i Realit ‘kapet keq’ me politikanin spanjoll

“Figo, mercenar” – Ish-ylli i Realit ‘kapet keq’ me politikanin spanjoll

Legjenda portugeze, Luis Figo, është përfshirë në një tjetër përplasje në rrjetet sociale me politikanë spanjollë, këtë herë me politikanin katalunas Gabriel Rufián, pas një komenti ironik për mundësinë që ish-futbollisti i Real Madridit dhe Barcelonës të emërohej ministër i Sportit në Spanjë.

Gjithçka nisi pasi Rufián bëri një shaka në rrjetet sociale, duke sugjeruar se Figo mund të emërohej në këtë pozitë. Portugezi nuk e mori si një shaka dhe iu kundërpërgjigj me një mesazh plot kritika politike.

Ai publikoi reagimin në rrjetin social “X”, por më vonë e fshiu atë. Mesazhin e nisi me një fjali ironike: “Ju kam munguar tashmë? Shikoni se në çfarë gjendjeje kanë përfunduar”.

Ish-futbollisti më pas vazhdoi me kritikat ndaj politikanëve të së majtës dhe aleancave të tyre politike.

“Ata donin t’i bashkonin të gjithë në të majtë, ndërsa tani kanë përfunduar te Podemos. Çfarë nuk bën njeriu për të mbijetuar… Keni pasur një përvojë të keqe edhe më parë, apo jo? Çfarë nuk bën njeriu për të jetuar në kurriz të sistemit… Por tashmë nuk e mashtrojnë askënd”, shkroi Figo.

Reagimi i tij shkoi përtej shakasë për postin e ministrit të Sportit, duke hapur një tjetër debat me politikanin katalunas dhe duke rikthyer përplasjet e tyre në rrjetet sociale.

Figo nuk është i panjohur për përplasjet me figura politike në Spanjë. Vitet e fundit, ai është përfshirë vazhdimisht në debate të tilla në rrjetet sociale, ndërsa këtë fundjavë kjo histori u përsërit.

Ish-futbollisti, i cili aktualisht është këshilltar i UEFA-s, ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme, duke luajtur për gjigantë si Barcelona dhe Real Madridi, si dhe për Kombëtaren e Portugalisë.

Por Rufián nuk u ndal me kaq. Pasi pa reagimin e portugezit, ai publikoi një fotografi të një titulli të vjetër të gazetës spanjolle, ku shkruhej: “Figo mercenari”.

Ky ishte një referim ndaj transferimit të famshëm të portugezit nga Barcelona te Real Madridi në vitin 2000, një prej lëvizjeve më të diskutueshme në historinë e futbollit spanjoll.

Politikani katalunas e shoqëroi publikimin me një fjali të shkurtër, por thumbuese: “Jo të gjithë e shesim veten”.

Kështu, përplasja mes tyre riktheu në vëmendje një episod që e ka shoqëruar emrin e Figos për më shumë se 26 vjet.

Në vitin 2000, portugezi ishte kapiten i Barcelonës dhe një prej simboleve kryesore të skuadrës katalunase. Megjithatë, Florentino Perez, gjatë fushatës për presidencën e Real Madridit, kishte premtuar se do ta transferonte atë nëse zgjidhej në krye të klubit.

Perez e mbajti premtimin, duke paguar klauzolën e lirimit prej 62 milionë eurosh për ta transferuar Figon në Madrid.

Tifozët e Barcelonës e konsideruan këtë lëvizje si një tradhti të madhe, ndërsa portugezi u prit me vërshëllima dhe kore fyese në “Camp Nou” sa herë që rikthehej si kundërshtar.

Në anën tjetër, Figo u bë njëri prej yjeve të projektit “Galaktikët” te Real Madridi dhe ndihmoi klubin të fitonte trofe të rëndësishëm, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve.

Related Articles