Në Shqipëri, Partia Demokratike është thelluar në krizë edhe më të madhe të shtunën, pasi në të njëjtën kohë Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Lulzim Basha ka shpallur të jashtëligjshme mbledhjen e thirrur javën e shkuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Ndërsa në anën tjetër mbi 34 mijë anëtarë të kësaj partie kanë votuar në referendumin e Berishës për të shkarkuar Bashën.
Kuvendi i Bashës ka miratuar rezolutën që e shpall të jashtëligjshëm teksa edhe është shkarkuar Berisha.
Ndërkaq në iniciativën e Berishës kanë votuar mbi 34 mijë anëtarë të PD-së në atë që po quhet referendumi për shkarkimin e Bashës.
Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi u shpreh se interesi i demokratëve për të votuar në këtë referendum është shumë i lartë.
LEXO EDHE: Basha: Jam kryetar i PD-së, i çliruar pasi përjashtova Berishën
Kurse, ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të shtunën e 18 dhjetorit kishte bërë thirrje për të gjithë demokratët, “të protestojnë në mbrojtje të interesave kombëtare”.
Ndërsa i është drejtuar qendrës së votimit për “referendumin” e iniciuar nga vetë ai, Berisha tha se, protestën së hënës pasdite, ai po e mbledh “në cilësinë e sovranit”.
Gjithashtu ish-kryeministri tha se kjo protestë do jetë dhe kundra Ballkanit të Hapur, duke e cilësuar si “aleancë kundër interesave jetike të shqiptarëve, si aleancë që po nxit destabilizimin, duke sfiduar nismën e Berlinit nga BE për ta vendosur në hegjemoninë serbe”.
“E keni parë sesi ka mbledhur në anti-kuvendin e tij nxënës shkollash deri tek kryetarë me dy mandate të bashkive të PS-së. Ditën e hënë në orën 16:00 të gjithë demokratët në protestën e madhe në mbrojte të interesit kombëtar, por edhe kundër vjedhjes së tmerrshme të 430 mln eurove që kërkon kreu i Meduzës me SPAK-un e tij që t’i fsheh në një vjedhje prej 3 mln eurosh. Po i mbledh nën cilësinë e sovranit. Kuvendi është autoriteti më i lartë i PD-së, i cili urdhëroi me votën e tij thirrjen e referendumit”, është shprehur ish-kryeministri i Shqipërisë./Gazeta Enigma/